Përfundon afati i aplikimit të subjekteve politike që duan të marrin pjesë në zgjedhjet në veri

Sot ka përfunduar afati për aplikim të subjekteve politike që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

KQZ ka njoftuar se nga data 9 deri më sot është zhvilluar afati për konfirmimin e certifikimit të subjekteve politike, proces i zhvilluar në nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar.

“Brenda këtij afati kemi pranuar njoftimin konfirmues nga të gjitha subjektet politike të certifikuara: Iniciativa Qytetare Mitrovica, Partia Demokratike e Kosovës, Partija Kosovskih Srba, Sladjana Pantovic (kandidate e pavarur) dhe Lëvizja Vetëvendosje”- ka thënë zëdhnësi i KQZ-së, Valmi Elezi për KALLXO.com

Ndërsa, KQZ ka pranuar deklarimet për mospjesëmarrje të 11 partive politike.

“Partia Demokratike e Diasporës, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Pokret za Gora, Socialdemokratska Unija, Fjala, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Kosovaki Nevi Romani Partia, Partia Demokratike e Unitetit, Jedinstvena Goranska Partia dhe Kosova Demokratik Türk Partisi dhe Partia Balliste”- janë partitë që kanë deklaruar mospjesëmarrjen.

Zgjedhjet në katër komunat e veriut të vendit pritet të mbahen me 23 prill 2023.

Iniciativa qytetare Mitovica në Mitrovicën e Veriut do të kandidoj me Betim Osmanin, ndërsa në komunat tjera nuk ka kandidat.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për Leposaviq ka kandidate Albulena Behluli-Hetemin për Zubin Potok kandidat është Izmir Zeqiri, për Zveçan Ilir Peci ndërsa për Mitrovicë të Veriut Taulant Kelmendi.

Lëvizja Vetëvendosje në Leposaviq ka kandidat Lulzim Hetemin, për Zubin Potok ka kandidat Flatron Hasanin, për Zveçan Fetah Peci dhe për Mitrovicë të Veriut, Erden Atiq.

“Partija Kosovski Srba” për garën në Leposaviq ka kandidat Aleksandar Jablanoviq.

Ndërsa kandidate e pavarur për komunën e Zcevanit është Sladjana Pantoviq, ka njoftuar KQZ.

KQZ për KALLXO.com ka bërë të ditur edhe kalendarin e aktiviteteve kryesore për organizimin e zgjedhjeve në veri.

partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 23 prillit në katër komuna në veri të Kosovës, pasi tha se nuk janë përmbushur kërkesat që e shtynë të largohet nga institucionet e vendit.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat në veri të Kosovës do të mbahen pasi kryetarët e komunave që ishin nga radhët e Listës Serbe dhanë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë komunash fillimisht ishin caktuar për datën 18 dhjetor të vitit 2022, por u shtynë me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare. Lista Serbe edhe atëherë refuzoi të marrë pjesë në procesin zgjedhor.