Miroslav Lajcak dhe Besnik Bislimi/ FOTO: Miroslav Lajcak- Twitter

Përfundojnë takimet dypalëshe, detaje nga zhvillimet në Bruksel

Kanë përfunduar takimet dypalëshe në Bruksel mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi me emisarin Mirosllav Lajçak dhe kryenegociatorit të Serbisë, Petar Petkoviq po ashtu me Lajçakun, më 17.09.2024.

Takim trepalësh nuk ka pasur.

Lajmin e ka bërë të ditur këshilltari i zëvendëskryeministrit Bislimi, Klisman Kadiu në një përgjigje për KALLXO.com.

“Kanë mbaruar takimet. Takim trilateral nuk ka patur, vetëm bilateral me Lajçakun”- tha Kadiu.

Qeveria e Kosovës, ka njoftuar se zëvendëskryeministri Kosovës, Besnik Bislimi, ka udhëtuar për në Bruksel më 16.09.2024.

Para se të merrej vendimi për datën 17.09.2024 pati deklarime se takimi i planifikuar ishte refuzuar nga pala serbe.

Zëvendëskryeministri Bislimi, të premten më 13.09.2024, kishte deklaruar se Serbia e ka refuzuar takimin në nivel kryenegociatorësh të planifikuar më 17 shtator, sipas rendit të ditës të përcaktuar nga ndërmjetësi i Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak.

Kështu i kishte reaguar Bislimi medias serbe ‘Tanjug’, pasiqë kjo e fundit kishte raportuar se pala kosovare refuzoi takimin.Fillimisht, kryenegociatori i palës kosovare tha se Serbia u mundua të imponojë pika të rendit të ditës “të destinuara për konsum të brendshëm politik”.

Më 06.09.2024, Lajçak vizitoi Kosovën.Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Lajçak deklaroi se është arritur pajtim për rundin e ri të dialogut mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq.

Ndërkaq, kryeministri kosovar Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq për herë të fundit u takuan më 14.09.2023, kur diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve. Por ky takim rezultoi pa ndonjë përparim, për shkak të qëndrimeve kontradiktore të palëve.
Në mars të vitit 2024, u shënua një vit qëkur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kryeministri kosovar dhe presidenti serb, ranë në ujdi që të zbatojnë Aneksin e Marrëveshjes Bazike që ishte arritur në Bruksel, në ditët e fundit të shkurtit 2023.

Dy liderët u pajtuan që Kosova dhe Serbia të zhvillonin marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën dhe ndër tjera t’i njihnin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

Kosova merrte obligime për t’i zbatuar marrëveshjet e arritura më herët, përshirë atë që e parasheh krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa Serbia nuk do ta kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Dhe me gjithë pritjet se gjërat po merrnin rrjedhë pozitive, zhvillimet e mëvonshme në terren çuan procesin në kah krejt të kundërt. E marrëveshja mbeti vetëm në letër.