Përfundoi gjykimi për tentim vrasje në fshatin Kishnicë të Graçanicës

Sot është mbajtur seanca e fundit për gjykimin ndaj Yll Ademit, i akuzuar për  tentim vrasjen e  Vehid Gashit më 21 gusht të vitit 2015, në fshatin Kishnicë të Graçanicës.

Prokurori i rastit Armend Hamiti, në fjalën përfundimtare deklaroi është  vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprën penale që i vihet në barrë dhe kërkoi nga gjykata që të shqiptojë dënimin sipas ligjit.

E fjalën përfundimtare të prokurorit e mbështeti edhe avokatja Luljeta Bilalli-Ymeri, përfaqësuese e të dëmtuarit Vehid Gashi si dhe vet i dëmtuari Vehid Gashi.

Ndërsa avokatja e të akuzuarit, Kosovare Kelmend, në fjalën përfundimtare tha gjendja faktike në këtë rast është ndryshe nga gjendja e përshkruar në aktakuzë.

“Duke u mbështetur në provat e administruara mund të behët fjala për veprën penale pjesëmarrje në rrahje e cila ngërthen në vete edhe lëndimin e rëndë trupor edhe në vdekjen e ndonjë personi”, tha ajo.

Avokatja Kelmendi, kërkoi nga gjykata që  të akuzuarit Ademi t’i shqiptohet dënimi më gjobë ose dënim me punë në dobi të përgjithshme.

Ndërsa i akuzuari Yll Ademi qëndroi prapa fjalëve të avokates së tij.

Aktakuza thotë se më 21 gusht 2015 , rreth orës 19:00 në fshatin Kishnicë të Komunës së Graqanicës, pas një fjalosje që kishte ndodhur mes të dëmtuarit Vehid Gashi dhe vëllait të tij Murid Gashi me të pandehurin, i pandehuri Yll Ademi me qëllim që ta vrasë Vehid Gashin e kishte goditur me thikë në gjoks dhe bark duke i shkaktuar plagë të rënda.

Tutje aktakuza thotë se i akuzuari Ademi ka përdorur edhe sprejin ‘OC’ ndaj  viktimës dhe vëllait të tij.

Shpallja e vendimit për këtë rast do të bëhet më 8 qershor ora 11.