Përfundimi i gjysmëvjetorit të parë i vitit shkollor, Hoti: Ka qenë një vit i vështirë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, kanë vizituar sot Shkollën “Dardania” në Prishtinë, në përfundimin e gjysmëvjetorit të parë të këtij viti shkollor.

Kryeministri Hoti tha se ka qenë një vit i vështirë, për secilin pa përjashtim, për çdo familje dhe për çdo biznes.

“Jemi munduar që përmes Ministrisë së Arsimit t’ju ndihmojmë që ta adaptojmë metodologjinë mësimore karshi kushteve që janë krijuar dhe vërtetë dëshirojmë të ju falënderojmë që pavarësisht të gjitha vështirësive, ndërprerjeve e të tjera është arritur në masë të konsiderueshme të realizohet plan programi në mënyrë që nxënësit të mos mesin prapa”, shtoi Hoti.

Ai i falënderoi mësimdhënësit për përmbylljen e gjysmë vjetorit të parë të vitit shkollor.

“E kam parasysh që ka qenë vërtetë sfidë, duke qenë edhe vet mësimdhënës dhe duke e kuptuar nevojën që me pas kontaktin sy më sy me nxënësit. Statistikat na tregojnë që numri i arsimtarëve në proporcion me grupet tjera me mjekët dhe me policët është me përqindjen më të lartë të të infektuarve”, tha ai.

Ndërkaq, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj tha se puna në kushte pandemie ka qenë tejet e vështirë.

“Edhe ne kemi pasur vështirësi t’i dizajnojmë këta skenarë të cilët ju i keni përdor. Shkollat sikur kjo e juaja kanë qenë të ngarkuara, keni punuar të ngarkuar edhe ju duke ndarë klasat në grupe, ne ju kuptojmë. Ju jeni heronjtë e ditëve të sotme, siç keni qenë edhe më herët. Ne ju falënderojmë për mundin”, theksoi ministri.

Likaj tha se sot 270 laptopë që kanë qenë në stoqe të ministrisë, do të shpërndahen për mësimdhënësit në Kosovë.

Nxënësit e Kosovës do të përfundojnë sot gjysmëvjetorin e parë të vitit shkollor 2020/21.

Ky gjysmëvjetor që u nis me vonesë po ashtu është përfunduar më herët se sa që ishte paraparë sipas planprogramit të vitit shkollor të hartuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Qeveria e Kosovës, për të parandaluar përhapjen e coronavirusit, ka marrë vendim që gjysmëvjetori i parë i vitit shkollor 2020/2021 të përfundojë më 18 dhjetor dhe gjysmëvjetori i dytë të nisë më 18 janar.