Edi Rama e Vangjush Dako - Foto: LSA
Përfshirja në korrupsion, ish-kryebashkiakut të Durrësit i ndalohet hyrja në ShBA
Ish-kryebashkiaku i Durrësit, i cili është përgjuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në biseda me persona të akuzuar për trafik ndërkombëtar narkotikësh si pjesë e “Dosjes 339”, e cilësoi si “rrufe në qiell të hapur”, vendimin e Departamentit të Shtetit për t’i ndaluar hyrjen në SHBA “për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion domethënës”.
Vendimi i Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo i njoftuar publikisht të martën thotë se Dako penalizohej për shkak të përfshirjes në korrupsion. Sipas njoftimit ligji i lejon Sekretarit të Shtetit të vendosë këtë sanskion “Kur ka informacion të besueshëm që zyrtarë të huaj janë përfshirë në korrupsion domethënës ose në kanë dhunuar të drejtat e njeriut”. Këtyre personave dhe të afërmve të tyre, fëmijët dhe bashkëshortët, u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sekretari i Shtetit ka të drejtë ta bëjë njoftimin në mënyrë private ose publike. Në rastin e Dakos, bashkëshortes së tij dhe dy fëmijëve vendimi është njoftuar publikisht.
Bashkë me Dakon në të njëjtën listë ndodhet edhe ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla i cili ka punësuar madje një kompani lobimi për të hequr emrin nga lista. Po ashtu publikisht në këtë listë është edhe deputeti i Shkodrës Tom Doshi. Një numër gjykatësish dhe prokuorësh po ashtu u është anuluar viza për në SHBA.
DASH e ka përshkruar vendimin për Dakon si “një sinjal i fortë i angazhimit të SHBA kundër korrupsionit”.
I pyetur nga BIRN Dako tha në një bisedë telefonike se nuk dinte çfarë të thoshte, ai tha se nuk ishte njoftuar më herët për këtë vendim, ndërsa shtoi se “I respektonte vendimet e Departamentit të Shtetit”. “Nuk kam çfarë të them. Nuk është se prekem nga Lulzim Basha, prekem nga Amerika”, tha Dako në telefon.
Ish-kryebashkiak i Durrësit për tre mandate si kandidat i Partisë Socialiste, Dako është një ndër emrat më të akuzuar nga opozita për përfshirje në tjetërsimin e rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2017 duke përdorur krimin e organizuar. Ai po ashtu rezulton i përgjuar në një sërë bisedash me vëllezërit Astrit dhe Altin Avdyli si pjesë e hetimit të njohur si “Dosja 339”, të arrestuar dhë nën akuzë për trafik narkotikësh dhe grup të strukturuar kriminal.
Dokumente hetimore dhe përgjime të siguruara nga BIRN dhe të publikuara në Janar të këtij viti ngrejnë dyshime se anëtarët e grupit Avdyli u përfshinë në blerje votash në ndihmë të Dakos gjatë zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit 2017.
Dako i ka mohuar akuzat. Në një intervistë televizive në emisionin ‘Opinion” ai pretendoi se ishte i pastër. “I shikon këto duar ti, janë akullore këto”, tha Dako duke iu drejtuar një prej bashkëbiseduesve gjatë një bisede në tetor 2018. Prokuroria ka bërë me dijes se kishte hetime për këtë çështje, por rezultati i hetimeve nuk është i qartë. (reporter.al)