Paratë e zyrtarit policor, Foto: KALLXO.com

Përfshirja e policit të trafikut në grupin e fajdeve dhe bixhozit, flet zyrtari i IPK-së - VIDEO

Qindra-mijëra euro kthehen kamatë në raste të ndryshme të fajdeve të cilat konsiderohen si veprimtari ilegale në Kosovë.

Një grup prej disa personash ishin hetuar për muaj të tërë nga Policia e Kosovës dhe Inspektorati i Policisë së Kosovës nën udhëheqje të Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

13 të dyshuar janë arrestuar pasi të njëjtit dyshohen se kishin kryer vepra penale të fajdesë e organizimit të bixhozit ilegal në regjionin e Prizrenit.

Një aksion i gjerë ishte planifikuar që të ndërmerrej javë më parë në komuna të ndryshme të Kosovës por caku kryesor ishte Prizreni.

Prizreni tash e sa kohë po përballet me raste të ndryshme që kanë të bëjnë me fajde ndërsa janë realizuar dhjetëra aksione për të goditur këtë veprimtari.

Përveç fajdesë në regjionin e Prizrenit tashmë paralelisht po funksionon edhe bixhozi online.

Kjo veprimtari tashmë është ilegale që nga viti 2019.

Aksioni i realizuar në rajonin e Prizrenit në tetor të këtij viti rezultoi me 13 të arrestuar mes tyre edhe një zyrtar policor.

Shefi i Divizionit për Hetime në Inspektoratin Policor të Kosovës, Bardhyl Haxhimustafa tregoi për kamatat dhe funksionimin e grupit në këtë zonë.

“Kamatat janë llogaritë te grupi, kamatat kanë shku deri në 10 për qind në muaj por ka specifika, pjesëtarët brenda grupit ka raste edhe kur kanë marrë para me kamatë më të ulët dhe kanë dhënë të njëjtat para me kamatë më të lartë. Një rast që vlen të ceket specifikisht, viktima ka marrë fajde 13 mijë euro ka kthy për ato 13 mijë euro, për vonesa, 176 mijë euro”- thotë Haxhimustafa.

Drejtori i Divizionit për Hetime në IPK, Bardhyl Haxhimustafa, Foto: KALLXO.com

Pamjet e transmetuara në emisionin e sotëm treguan shtëpitë luksoze e punën që kryhej përmes telefonave nëpër lokale e kafeteri.

Dhjetëra lokacione të bastisura bënë që të mblidhen prova të shumta për të ndjekur e hetuar grupin e dyshuar për fajde e bixhoz në Prizren.

Zyrtari i policisë me dy nga të arrestuarit e tjetër sipas hetimeve të IPK-së ka qenë në koordinim të ngushtë dhe kanë vepruar bashkërisht për fajde e bixhoz.

“Grupi duket i madh, bukur i sofistikuar, grup që punon shumë në mënyrë diskrete. Për zyrtarin policor, ai  njihet si person mjaftë autoritativ në kryerjen e detyrave të tij, ai punon në njësinë e trafikut rrugor, njihet si një zyrtar që nuk toleron gjatë kryerjeve të detyrave të tij, nga ky imazh, zyrtari policor ka arritur që të krijoj figurën e një njeriu të rrezikshëm apo të fortë”- thotë ai tutje.

Me ekipe në terren Haxhimustafa synonte të mblidhte provat e nevojshme që dëshmonin involvimin e zyrtarit policor në veprimtari kriminale.

“Ekipet që janë në terren, synimi i tyre është lokalizimi i personave të grupit, kontaktet e tyre me persona të tjerë, kryesisht viktima të rastit, lokalizimi në lokalet ku bëhet bixhozi ilegal, këto janë objektivat kryesore”- tregon tutje ai.

Prona, para, armë, telefona e pajisje të tjera teknologjike janë konfiskuar e sekuestruar në aksionin e 10 tetorit që ndodhi në komunën e Prizrenit.

Paratë e zyrtarit policor, Foto: KALLXO.com

Polici i dyshuar është arrestuar për disa vepra penale, fajde, bixhoz, detyrim e keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Ai ishte dërguar në mbajtje ndërsa nga Prokuroria Themelore në Prizren, kanë thënë se nuk ka pranuar të deklarohet në lidhje me veprat që i ngarkohen.