Foto: Ilustrim
Përfshihet nga zjarri një shtëpi në Ferizaj, nënë e bijë kërcejnë nga kati i tretë
Një grua me vajzën e saj kanë pësuar lëndime si pasojë e një zjarri që kaploi një shtëpi në rrugën “Oso Kuka” në Ferizaj, pasditen e së premtes, më 01.11.2024.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar shefi i zjarrfikësve në Ferizaj, Danush Qosa.
Sipas Qosajt, gruaja me të bijën duke tentuar të shpëtonin nga zjarri, kanë kërcyer nga dritarja katit të tretë, me ç’rast kanë pësuar lëndime trupore.
“Një objekt në rrugën ‘Oso Kuka’ në Ferizaj është kapluar nga zjarri më 01.11.2024 rreth orës 17:55. Një grua me të bijën kanë pësuar lëndime pasi që si pasojë e zjarrit kanë kërcyer nga kati i tretë por që kanë shpëtuar”- ka thënë Qosja.
Ndërkaq Policia ka konifrmuar se gruaja me vajzën e saj tashmë janë duke u trajtuar në QKUK në Prishtinë.
“Në shtëpi kanë qenë dy persona, nëna e moshës 48 vjeçare së bashku me fëmijën e saj rreth 3 vjeç, e cila ka arritur të kërcej së bashku, nga dritarja e katit të dytë në tokë dhe kanë pësuar lëndime trupore”- ka thënë Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizaj, Kanun Veseli.
Ndërkaq, sipas tij, një ambulancë fillimisht i ka dërguar për ndihmë mjekësore në Emergjencën e Ferizajt e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësor janë dërguar në QKUK në Prishtinë.
Veseli bën të ditur se zjarrfikësit në ndërkohë kanë arritur ta shuajnë zjarrin, derisa ekipet e Policisë thotë se kanë dalur menjëherë në vendin e ngjarjes për t’a hetuar rastin.