Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com. Ilustrim

Përfshihen nga zjarri dy fusha në Vushtrri, u evakuuan 31 banorë

Dy toka në komunën e Vushtrrisë janë përfshirë nga zjarri dje.

Policia ka njoftuar se në fshatin Studime e Ulët rreth orës 13:30 një fushë me hamullore në sipërfaqe të madhe ku si pasojë nga zjarri janë përfshirë edhe dy shtëpi të pa banuara.

Për shkak të rrezikut potencial nga zjarri, njësitë policore nga ai lokacion kanë evakuar 31 banorë të asaj zone.

Njësitë e zjarrfikësve e kanë lokalizuar zjarrin dhe nuk raportohet për të lënduar. Rasti është nën hetime.

Ndërkaq në fshatin Bajskë të Vushtrrisë rreth 13:00 është raportuar se nga zjarri është përfshirë një fushë (djerrinë) në sipërfaqe rreth 5 hektarë. Zjarrin e kanë shuar njësitë e zjarrfikësve.

Lidhur me rastin është arrestuar një person i dyshuar, i cili pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Nuk raportohet për të lënduar dhe rasti është nën hetime.