Foto: KALLXO.com

Performanca e Komunës së Mamushës në tre vite, probleme me mbeturina e mirëmbajtje të hapësirave publike

Qytetarët e komunës së Mamushës përballen me disa probleme si mungesa e ujit të pijshëm, deponitë ilegale e mosmirëmbajta e hapësirave publike.

Ekipi hulumtues ka zbuluar se në disa lokacione në Mamushë ka deponi ilegale të mbeturinave, të cilat nuk janë hequr nga qeverisja lokale.

Banorët janë ankuar se hapësirat publike si parqet dhe këndet e lojërave gjithashtu nuk janë mirëmbajtur nga zyrtarët përgjegjës në ekzekutivin lokal.

Problemet e Mamushës janë konfirmuar edhe në raportet e performancës të cilat i harton Ministria e Pushtetit Lokal.

Në këtë matje, Mamusha zë vendin e 19-të në barazinë në punësim ndërsa në fushën e mirëmbajtjes së hapësirave publike komuna ndodhet në vendin e 12-të. Mamusha është renditur si komuna e 31-të në fushën e transportit publik, ndërsa zë vendin e 24-të në fushën e mbrojtjes së mjedisit. Komuna e Mamushës është renditur në vendin e parë në kujdesin primar shëndetësor.

Gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2021, kryetari i Komunës së Mamushës, Abdulhadi Krasniç, kishte dhënë disa premtime në emisionin “Jeta në Komunë”.

Krasniç kishte premtuar funksionalizimin e objektit të ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Mamushë.

“Për momentin jemi duke e ndërtu një objekt me standarde europiane që i plotëson kushtet për qytetarët e Mamushës, po shpresojmë që deri kah gushti i vitit të ardhshëm do të kalojë komplet shëndetësia në objektin e ri” – deklaronte i pari i Komunës së Mamushës.

Por, më 19.10.2024, kur ekipi i “Kallxo Përnime” doli në terren, QKMF në objektin e ri nuk ishte funksionalizuar.

Në një përgjigje me shkrim, Komuna kishte shpjeguar arsyet.

“Objekti i ri i QKMF-së ende nuk është hapur sepse mjetet me të cilat duhet të pajiset objekti ende nuk kemi arritur t’i sigurojmë. Ne si komunë për çdo vit kemi investuar dhe do të investojmë që sa më shpejt të jetë e mundur të hyjë në funksion objekti dhe të jetë në shërbim sa më efektiv të banorëve” – thuhej në përgjigje.

QKMF e re në Mamushë u funksionalizua vetëm më 22.11.2024.

Mamusha ka problem edhe furnizimin me ujë të pijshëm pasi nuk e ka funksional ujësjellësin.

Gjatë vitit 2021, në zgjedhje lokale, kryetari Abdulhadi Krasniç kishte premtuar 24 orë ujë për qytetarët e Mamushës. Premtimin ai thoshte se do ta realizonte gjatë vitit 2022.

Por, tre vjet pas, Mamusha ende nuk ka zgjidhur problemin me ujë të pijshëm.

“Mamusha nuk ka ujësjellës që 25 vite pas luftës dhe s’kemi pasë kurrë. Krejt banorët e Mamushës ujin e marrin nga puset e tyre private” – tha Maksut Mazreku, banor nga Mamusha.

Kryetari Krasniç ka dhënë arsyet pse nuk u rregullua sistemi i ujësjellësit në komunën që ai e drejton.

“Siç e dini, komuna e Mamushës është komunë e vogël dhe e ka edhe buxhetin e vogël. Ne e kemi bindur Qeverinë që përmes KRU “Gjakova” me nda një buxhet sepse ky ujësjellës duhet me na pru ujin e pijes, vitin e kaluar Qeveria na ka ndarë 1.7 milion euro por ka qenë një gabim teknik që nuk është bartur në fund të vitit. Por, tani ka nisur të punohet në këtë drejtim dhe besoj vitin e ardhshëm përfundohet si projekt që Mamusha të ketë ujë të pijes” – tha kryetari i Mamushës.

Një tjetër premtim i cili nuk është mbajtur nga kryetari i Mamushës ishte ai për çerdhe publike.

Komuna është përgjigjur duke thënë që në vitin 2025 Mamusha do të ndërtojë një çerdhe publike.

Hulumtuesit në Mamushë më 19.10.2024 zbuluan disa deponi ilegale të mbeturina. Pamjet nga droni tregonin për ndotje të ambientit me mbeturina inerte.

“Javën e kaluar kemi pastruar disa deponi por është një problem sepse ne i kemi vendosur edhe kamerat, por ne i heqim, njerëzit po i gjuajnë sërish. Dënimet për këtë po thuhet që është pak edhe po thonë që duhet më shumë me i dënu” – ka thënë kryetari i Mamushës.

Probleme në menaxhimin e Komunës gjeti edhe Zyra Kombëtare e Auditimit.

Auditori zbuloi se Komuna e Mamushës nuk i kishte regjistruar sipas rregullave pasuritë e saja gjatë vitit 2023. Ky konstatim u zbulua në projektet e ndriçimit publik dhe projektet e renovimit të kanalizimit.

Probleme u gjetën edhe në vitin 2022.

Sipas Auditorit komuna nuk i respektoi procedurat ku kreu shtatë pagesa.  Në këto raste faturat ishin pranuar pa ekzistuar urdhri për blerje  mallit.

Gjithashtu, Auditori konstatoi se Komuna nuk ka arritur t’i mbledhë të gjitha faturat e tatimit në pronë.

Komuna e Mamushës ka tetë drejtori ndërsa tri nga to udhëhiqen nga gratë.