Përfituesit më të mëdhenj nga takimi i Uashingtonit, sipas Nexhmedin Spahiut

Analisti kosovar Nexhmedin Spahiu ka renditur përfituesit më të mëdhenj që, sipas tij, kanë dalë nga marrëveshja e Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë më 4 shtator, duke e renditur Kosovën të fundit.

Sipas Spahiut, Kosova përfitoi njohjen nga Izraeli me një çmim të lartë.

Spahiut e ka radhitur Presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, në krye të përfituesve në marrëveshjen e Uashingtonit.

“Në Washington është bërë një pazar ku përfitimin më të madh e ka korrë Donald Trump, që ka fituar zemrat e lobit hebre, si lobit  vendimtar se kush fiton garën për President”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka shtuar se përfitues i dytë është Amerika që mori premtimin e Serbisë për t’u larguar me rusët e kinezët dhe se përfitues i tretë është Izraeli që fitoi dy ambasada tjera në Jeruzalem.

“Përfitues i 4-të është  Serbia që përfitoi tregun në Ballkanin Perëndimor, dmth mori zotimin amerikan se do të jetë baba i Kosovës, Shqipërisë e Maqedonisë  duke mos i dhënë  njohjen Kosovës njëherë për njëherë (më vonë do të jetë e detyruar ta njeh kundruall një çmimi që Kosova do të paguaj sërish)”, thuhet në publikimin e tij.

E krejt në fund sipas Spahiut përfituesi i pestë është Kosova.

Nexhmedin Spahiu

“Ndërsa  përfituesi i pestë është Kosova që fitoi njohjen nga Izraeli me çmim tejet tejet të lartë (Acarim të marrëdhënieve me vendet e BE dhe me  vendet më shumicë myslimane për shkak të Jerusalemit, kthimin e pronave bashkësisë hebreje në Kosovë që blenë apo u konfiskuan nga komunistët)”, ka shkruar tutje ai.

Ai tutje ka folu edhe për rolin e kryeministrit Avdullah Hoti (LDK) në këtë proces, si dhe të ish-kryeministrit Albin Kurti (LVV).

“Tani Kosova pas 21 viteve keqqeverisjeje, krim e korrupsion, nuk ka mundur të pres më shumë se një asht të tillë. Për këtë nuk ia ka askush fajin, dhe nuk ka pasur rrugëdalje tjetër pos të nënshkruajë atë që nënshkroi A.Hoti. Reagimi i Albin Kurtit nuk ka ndonjë vlerë.  E mira do t’ishte që ai të mos i acaronte amerikanët sa ishte kryeministër.  Sot ai  do t’ishte kryeministër dhe ashti në Washington për Kosovën do t’ishte më i madh, e ndoshta edhe me ndonjë cikël mish”, ka shkruar Spahiu në Facebook.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë nënshkruar më 4 shtator, marrëveshje për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.