Ilustrim

Përfitoi nga qytetarët mbi 40 mijë euro duke i mashtruar për termin të vizave, arrestohet 28-vjeçari

Një 28-vjeçar është arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi dyshohet se i ka mashtruar qytetarët se do t’u bëjë termin për viza, duke përfituar nga ta rreth 41 mijë e 100 euro.

Policia e Kosovës bën të ditur se gjatë zhvillimit të hetimeve ka identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin me iniciale A.B., viti i lindjes 1994, pasi që i njëjti në intervale të ndryshme kohore nga muaji dhjetor i vitit 2021 e deri në muajin maj të vitit 2022, i kishte mashtruar 12 persona, duke iu marrë shuma të ndryshme të parave dhe duke iu premtuar se do iu caktojë, rezervojë termine për viza pune në ambasadën e një shteti të huaj në Kosovë.

“I dyshuari është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës të angazhuar sipas detyrës zyrtare dhe pas përfundimit të procedurave policore i njëjti është ndaluar për 48 orë me aktvendim të lëshuar nga Prokurori i shtetit”, thuhet në njoftim.

Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk e gëzon liberalizimin e vizave.

Qytetarët që duan të pajisen me vizë u duhet të shpenzojnë kohë dhe para për të aplikuar në ambasada të ndryshme për vizë. Rrjedhimisht shumë herë ata kanë rënë pre e mashtrimeve rreth termineve.