Përfitoi 60 mijë euro nga lojërat e fatit, Prokuroria e Gjakovës kërkon paraburgim për të dyshuarin

Prokuroria e Gjakovës ka kërkuar caktimin e paraburgimit ndaj një personi me iniciale F.M., pasi që dyshohet se ka organizuar lojëra të fatit në lokalin e tij, si dhe ka mbajtur armë pa leje.

Sipas njoftimit, i pandehuri F.M, dyshohet se në një kafiteri në Gjakovë ka organizuar dhe marrë pjesë në zhvillimin e lojërave të fatit – basteve sportive, ku nga bastet e luajtuara nga personi me inicialet Sh.H., i dyshuari ka përfituar shumën prej 60 mijë eurove.

“Gjithashtu, i  pandehuri F.M., më parë e deri më 09 gusht 2022, pa autorizim, ka mbajtur armë dhe municion në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ku të njëjtat  i janë konfiskuar nga ana e policisë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Gjakovës.

Me këto vepra, F.M., dyshohet se ka kryer veprat penale – organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, si dhe armëmbajtje pa leje.

Prokurori i rastit ndaj të pandehurit ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh.