Përfaqësuesi i LVV-së dhe ai i qeverisë shprehin qëndrimet në gjykatë për votën e deputetit Etem Arifi

Në seancën dëgjimore që po e mban Gjykata Kushtetuese për ankesën e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për votën e deputetit Etem Arifit përfaqësuesi ligjor i Vetëvendosjes, Blerim Sallahu, tha se i janë adresuar gjykatës për këtë çështje, në mënyrë që ta bëjnë një interpretim se a është në kundërshtim një votim i tillë.

Ai u shpreh i bindur që vota dhe mandati i deputetit Arifi është i pavlefshëm.

“Për këtë arsye ju kemi adresuar juve me bo një interpretim se a është në kundërshtim një votim i tillë për krijimin e qeverisë. Sepse kemi të bëjmë me cenim të integritetit të Kuvendit me ikje për të tregu të vërteten që ai është i dënuar. Ne jemi i bindur që vota e Arifit është e pavlefshme, për bindjen tonë mandati i tij është i pa vlefshëm. Jeni ju që ta vërtetoni këtë çështje mbi bazën e pretendimeve tona dhe të palëve në përputhje me Kushtetutën”, tha ai,

Artan Murati, përfaqësues i Kuvendit të Kosovës, tha se shumica parlamentare e përbën 61 deputetë. Dhe 120 mandate kanë qenë të certifikuara prej KQZ-së ku ekziston edhe një vendim i KQZ-së.

“Bazohemi në këtë vendim e praktikë siç ka vepruar Kuvendi i Republikës së Kosovës në vazhdimësi”, tha Murati.

Besnik Berisha, përfaqësues i qeverisë, tha se e konsiderojnë se nuk ka asnjë arsye të vetme kushtetuese e ligjore që vendimi për zgjedhjen e qeverisë Hoti të shpallet në papërshtatshmëri kushtetuese në nenin 93 siç pretendon parashtruesi i kërkesës.

“Vendimi i kësaj gjykate kushtëzohet me norma kushtetuese që i nënshtrohet secili institucion përfshirë edhe vetë gjykata. Me çfarëdo kushti dhe parakushti të shtruar këtu sa do që parashtruesit e kërkesës po e lëvizin thelbin e saj i bie që kjo kërkesë duhet të dorëzohet dhe ajo çka kjo gjykatë duhet të veproj sipas bindjes tonë dhe parashtrimit tonë është mbajtja në fuqi e kësaj procedure si kushtetuese. Konfirmimi si kushtetuese”, tha ai.

Berisha tha se kërkesa që të shkohet në zgjedhje nuk ka as edhe një bazë kushtetuese.

Ndërsa kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, tha se Gjykata Supreme kishte marr vendim që t’i kthejnë në lista për deputet personat që kanë kandiduar edhe pse kanë pasur aktgjykime të plotfuqishme për tri vitet e fundit.

“Duke u bazuar në vendimin e Gjykatës Supreme ne jemi obligu që mos ta zbatojmë nenin 29. E jemi obligu që t’i kthejmë në lista kandidatët që kanë kandidu për deputet të Republikës së Kosovës edhe pse kanë pas aktgjykime të plotfuqishme në tri vitet e fundit”, tha Daka.

Daka tha se mekanizimi i cili i ka parandaluar personat me aktgjykime të plotfuqishme për tri vitet e fundit, të kandidohen ka qenë neni 29 i Ligjit për Zgjedhjet e përgjithshme.

“KQZ-ja ka qenë një lloj kontrolli që këta qytetar të mos mund ta se kandidojnë e le më të zgjedhën deputet. Tashmë bazu në këtë aktgjykim të Gjykatës Supreme nuk ekziston sepse këta persona edhe nëse nuk certifikohen nga KQZ-ja me siguri se do ta vënë në lëvizje sistemin e ajo është ankesa në PZAP, ku PZAP duke u bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Supreme do ta obligonte KQZ-në që t’i certifikoj apo tu jap mundësinë që të bëhen deputet”, u shpreh Daka.

Vetëvendosje kërkon të shpallet e pavlefshme vota e Etem Arfit për Qeverinë Hoti – LIVE 

Etem Arifit i humb mandati i deputetit “edhe disa ditë”