Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Përfaqësuesi i kompanisë së arkave fiskale kundërshton reformën për fiskalizim

Edip Gashi nga kompania “Enternet”, e licencuar për shitjen e arkave fiskale, në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se po e kundërshtojnë reformën në fiskalizim të iniciuar nga Ministria e Financave përmes një udhëzimi të ri administrativ.

Sipas tij, me këtë nismë po tentohet që të ulet çmimi i shërbimeve për arkat fiskale.

“Kjo reformë do të ndikojë negativisht në procesin e fiskalizimit. Këto komente i kemi përcjellë edhe te Ministria edhe te komisioni i arkave fiskale. Kjo për shkak se drejtpërdrejt po tentohet që të ulet çmimi i shërbimeve ndërsa edhe abonimin ta marrë si barrë ATK-ja.  Nëse këtë e merr si barrë ATK, është gjithçka në rregull, mirëpo në abonim vijnë edhe disa probleme teknike për të cilat ne jemi të ngarkuar në këtë rast”, tha ai.

Gashi theksoi se aktualisht arka më e lirë fiskale e ka çmimin 255 euro, ndërsa në kohën kur kanë filluar punën si kompani ka pasur arka që aktualisht nuk janë në përdorim, dhe ka pasur çmime të ndryshme që nuk mund të krahasohen për shkak të teknologjisë që dallon nga koha aktuale.

Gashi ka shtuar se kompania “Enternet” është licencuar më 2009, ndërsa më 2010 kanë filluar me shitjet e para të pajisjeve fiskale.

“Nuk mendojmë se tregu ka qenë i uzurpuar, ka qenë gjithmonë i hapur që nga 2009 kur ka filluar procesi i fiskalizimit e deri tash, gjithmonë ka qenë mundësia e hapur për operatorët e rinj që të hyjnë në treg”, është shprehur ai në debat.

Kurse, kryetari i Shoqatës së Zejtarëve dhe Afaristëve të Prizrenit, Nexhmedin Hoti tha se në vitet 2009-2010, arka fiskale ka kushtuar 630 euro.

Në Kosovë janë katër kompani të licencuara për shitjen e pajisjeve fiskale.

Sonte në Emisionin “Kallxo Përnime” diskutohet për reformën fiskale në Kosovë, gjegjësisht obligimin e bizneseve për t’u pajisur me arka fiskale ndër vite.

Udhëzimi i ri administrativ për arkat fiskale është iniciuar nga Ministria e Financave, në krye me ministrin Hekuran Murati.

Të ftuar në debat janë: Rexhep Krasniqi, udhëheqës i Divizionit për Arka Fiskale në ATK, Edip Gashi nga Kompania “Enternet” i licencuar për shitjen e arkave, Ragip Millaku nga Shoqata e Gastronomëve dhe Nexhmedin Hoti, kryetar i Shoqatës së Zejtarëve dhe Afaristëve të Prizrenit.

Në debat janë ftuar edhe përfaqësues nga Ministria e Financave, por të njëjtit nuk kanë pranuar të marrin pjesë.