Foto, Screenshot, RTK

Përfaqësuesi amerikan në OKB: UNMIK-u e ka tejkaluar misionin në Kosovë

Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OKB, Robert A. Wood, ka thënë se UNMIK-u e ka tejkaluar mandatin në Kosovë.

Ai ka thënë se Kosova me ndihmën e partnerëve evropianë i ka zhvilluar dhe përforcuar institucionet për të marrë përsipër vetë përgjegjësitë.

“Siç e kemi thënë shpesh në këtë sallë, UNMIK-u e ka tejkaluar misionin siç i ishte shkruar në mandatin fillestar. Ka pasur rol shumë të rëndësishëm në ruajtjen e paqes në të kaluarën, megjithatë Kosova me ndihmën e partnerëve evropianë i ka zhvilluar dhe përforcuar institucionet për të marrë përsipër vetë përgjegjësitë, që më herët ishin nën juridiksion të UNMIK-ut” – ka thënë ai.

Ai tutje ka thënë se SHBA e mbështet rrugëtimin e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike dhe rrugën evropiane.

“SHBA-ja do të vazhdojë bashkëpunimin me partnerë për të nxitur shoqëri shumëetnike, prosperuese, duke forcuar sundimin e ligjit dhe demokracinë. SHBA-ja mbështet rrugëtimin e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike dhe rrugën evropiane të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”-ka thënë Wood.

Tutje ai ka thënë se inkurajojnë Serbinë dhe Kosovën të fokusohen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Ne inkurajojmë Serbinë dhe Kosovën që t’i ulin tensionet duke u fokusuar te dialogu e progresi dhe të shmangin retorikën nxitëse” – ka thënë tutje ai.

Wood po ashtu ka thënë se takimet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së duhet të mbahen një herë në vit.

“Këto takime s’kanë nevojë të mbahen çdo 6 muaj, duhet të reduktohen në çdo 1 vit. Jemi të zhgënjyer që Këshilli nuk ka ecur tutje në reduktimin e UNMIK-ut dhe në planet për përmbylljen e misionit” – ka thënë ai.

 

Gërvalla në OKB: Serbia është bërë kërcënimi i dytë më i rrezikshëm i sigurisë për Evropën