Përfaqësues të misioneve të BE-së në Kosovë, thirrje për unitet politik në kohë të pandemisë

Shefja e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, shefat e Misioneve të BE-së, Ambasadorët e Norvegjisë, Zvicrës dhe Mbretërisë së Bashkuar, Shefi i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Kosovën, dhe menaxheri i Bankës Botërore përmes një deklarate të përbashkët, kanë kërkuar që të lihen anash dallimet politike në Kosovë.

Në këtë deklaratë ata kanë thënë se qëndrojnë me njerëzit e Kosovës në këto kohë sfiduese dhe janë të vendosur të vazhdojë të mbështesin Kosovën për tejkalimin e krizës.

“Ne e vlerësojmë menaxhimin efektiv të krizës CoVid-19 nga qeveria kujdestare dhe populli i Kosovës deri më tani. Tani është me shumë rëndësi që rregullat qeveritare për të parandaluar përhapjen e virusit respektohen nga të gjithë”, thuhet në deklaratë.

“Për më tepër, ne besojmë se në një kohë të pasigurisë së madhe, të gjithë akterët duhet të lënë mënjanë dallimet dhe të punojnë së bashku për të mirën e njerëzve”, vijon njoftimi.

Përfaqësuesit ndëkrombëtar mes tjerash kanë theksuar se i mirëpresim të gjitha mundësitë për të diskutuar bashkërisht masat e nevojshme për të përmbushur sfidën ndaj CoVid-19, “përfshirë ratifikimin e marrëveshjeve financiare të negociuara me BE, vendet e saj anëtare, institucionet e tjera ndërkombëtare financiare dhe masat kombëtare për të adresuar shëndetin dhe krizën ekonomike”.

“Ne gjithashtu u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të japin përparësi në shëndetin e qytetarëve dhe të mirëpresin të gjitha mundësitë për bashkëpunim ndërkombëtar dhe rajonal që kanë për qëllim shpëtimin e jetës dhe mbrojtjen e popullatës nga pandemia. Rrjedha e lirë rajonale e furnizimeve mjekësore dhe personelit është thelbësore për suksesin e kësaj përpjekje”, thuhet në deklaratë.

Edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, përmes një deklarate ka ftuar për bashkëpunim në skenën politike kosovare duke shmangur kështu retorikën e politizuar.

Në këtë deklaratë thuhet se SHBA-të kanë inkurajuar dhe vazhdojnë të mbështesin bashkëpunimin rajonal në mbështetje të mirëqenies së qytetarëve – përfshirë këtu luftën kundër pandemisë COVID-19.

“Ne i ftojmë të gjitha palët që të shmangin retorikën e politizuar dhe të bashkohen rreth zgjidhjeve praktike për të lehtësuar lirinë e lëvizjes së furnizimeve mjekësore dhe mundësohet personelit t’i monitoroj komunitetet e prekura. Le t’i vendosim jetët e njerëzve në rend të pare”, thuhet në këtë reagim.

Deklaratat vijnë në kohën kur mes krerëve institucional të vendit ka pasur akuza të ndryshme sa i përket situatës me COVID-19 dhe jo vetëm.

Ndërkohë, partitë politike në Kosovë janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për mandatimin lidhur me formimin e qeverisë së re, apo shkuarjen në zgjedhje pas pandemisë.