Përfaqësues të Luginës së Preshevës shpresojnë për bashkim me Kosovën

Ragmi Mustafa, përfaqësues i shqiptarëve të Luginës së Preshevës ka deklaruar se formimi  dhe jetësimi i Zyrës për Luginën e Preshevës në kuadër të Qeverisë së Kosovës, është një veprim reciprok me qeverinë serbe, pasi një e tillë për serbët në Kosovë ekziston në Beograd.

Lidhur me pyetjen nga KALLXO.com nëse funksionimi i kësaj zyre ndërlidhet me zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në Kosovë më 14 shkurt, Mustafa shtoi se “shyqyr që ka zgjedhje”.

“Shyqyr që ka zgjedhje, sepse ato janë për të premtuar. Me premtime zotohesh se do t’i realizosh”, tha ai, duke shtuar se kjo zyrë do të bashkëpunojë ngushtë me lidershipin në Luginën e Preshevës.

Mustafa theksoi se duhet të vijë në shprehje edhe bllokimi i librave nga Serbia në Kosovë, nëse shteti serb ndalon që librat t’u dërgohen shqiptarëve në Preshevë.

“Uroj që kjo zyrë të vazhdojë jetën e saj, të fuqizohet gjerë në kohën e bashkimit të Luginës me Kosovën.

Në anën tjetër, kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti ka paralajmëruar mundësi të kthimit të masave të reciprocitetit me Serbinë.

“Kur kemi filluar procesin e dialogut, në javën e parë kur unë e kam marr qeverinë, i kemi hequr masat e reciprocitetit dhe e kemi heqë vendimin për tarfia çka ka qenë ajo që i ka hapur rrugë procesit të dialogut. Me një afat të caktuar kohor për disa muaj dhe sapo ky proces të vije në përfundim ose procesi pra mbaron me marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke ose ne i zbatojmë të gjitha masat e reciprocitetit pa përjashtim. Çdo masë që Serbia e drejton kah ne, ne kemi të drejtë dhe do ta drejtojmë kah Serbia”, tha ai.

Ai këtë deklaratë e dha kur u pyet nga KALLXO.com nëse Kosova do të bllokojë Serbinë për të sjellur libra, nëse Kosovës nuk i lejohet të dërgojë tekste shkollore në shtetin serb.

Megjithkëtë, kryeministri në detyrë shtoi se beson që nuk do të ketë nevojë për masa të tilla.

“Por unë besoj që me përfshirjen e partnerëve ndërkombëtar që kemi arritur në këtë proces, nuk do të kemi nevojë të shkojmë në këto ekstreme, por besoj që çdo ditë po bëjmë progres drejt marrëveshjes përfundimtare. Ju e keni parë që i kemi disiplinuar pak edhe vizitat e zyrtarëve serb në Kosovë”.

Hoti u shpreh i bindur se në shtator do të finalizohet dërgimi i teksteve shkollore për nxënësit shqiptarë në Luginë të Preshevës.