Përdorimi i inteligjencës artificiale nga mediat, çka thotë eksperti ligjor i Këshillit të Mediave të Shkruara

Këshilltari ligjor në KMShK, Florent Spahija, në emisonin e “KALLXO Përnime” me temën “Dezinformatat në Drejtësi” ka folur për mënyrën e përdorimit të inteligjencës artificiale në shkrimin e teksteve.

Në momentin që shkruhet një tekst nga inteligjenca artificiale, sipas tij, ai duhet të kontrollohet nga kryeredaktori, redaktori ose nga vetë gazetari.

“Kur gjenerohet një tekst nga AI duhet me pas një kontroll pastaj. Për këtë është kryeredaktori, redaktori, apo edhe vet gazetari”- tha Spahiaj.

 

Puna e gazetarit, sipas tij, është lehtësuar me inteligjencë artificiale për shkak të llojllojshmërisë së ideve që mund të merren nga AI.

“AI e ka lehtësuar punën e gazetarit për me shkru një tekst pak më të mirë dhe me i jep pak ide”- tha Spahija.

Por, sipas tij, duhet të kihet shumë kujdes në përdorimin e inteligjences artificiale pasi që mund të bëhen edhe gabime. 

“E kisha konsideru që duhet me pas shumë kujdes, se kur e shfrytëzon Intelegjencën Artificiale e sheh që mund të bëjë gabime. Nëse i thu ‘gabim e ke bo’, ta bën ‘OK m’fal’ dhe ta jep një tekst krejt tjetër”- tha këshilltari ligjor.

Sipas tij, e rrugës do të ishte që në momentin kur një tekst shkruhet me ndihmën e inteligjencës artificiale të lihet shënim njoftues se shkrimi është përpunuar nga AI.