Ilustrim
Përdori patentë shofer të falsifikuar, ndalohet i dyshuari në Gjilan
Policia e Kosovës ka njoftuar se në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjilan pas një pune operative dhe hetimore, ka grumbulluar dëshmi për një person që dyshohet se kishte siguruar dhe përdorur patentë shofer të Republikës së Kosovës që dyshohet se është i falsifikuar.
Grumbullimi i dëshmive për të dyshuarin është kryer nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjilan.
Policia njofton se patentë shoferi i të dyshuarit është sekuestruar.
“Lidhur me rastin, patentë shoferi është sekuestruar nga i dyshuari dhe nga departamenti për patentë shoferë është vërtetuar se i njëjti nuk është lëshuar nga institucioni përkatës” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 12.09.2024.
Siç njofton Policia, i dyshuari gjatë zhvillimit të procedurave hetimore e ka pranuar se patentë shoferin e falsifikuar e kishte pranuar nga një person i panjohur dhe se kishte paguar një shumë parash për ta siguruar atë.
Policia ka inicuar rastin si “Falsifikim i dokumenteve” dhe i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
“Në lidhje me rastin personi i dyshuar është intervistuar në prezencë të avokatit dhe më pas është njoftuar prokurori i çështjes i cili ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar për 48 orë” – ka njoftuar Policia.