Foto: REL

Përderisa një valë e re COVID-19 godet Ballkanin, rastet e reja në Kosovë bien

Përderisa në disa shtete të Evropës dhe Ballkanit numri i të infektuarve me COVID-19 ka kapur majat duke e konsideruar mundësinë e mbylljes, Kosova tregon një rënie drastike të të infektuarve.

Kosova ka regjistruar 11 raste të reja me COVID-19 gjatë së enjtes, shumë më pak se pjesa tjetër e rajonit. Mali i Zi, një vend me pothuajse gjysmën e popullsisë së Kosovës, raportoi për 409 raste të reja. Shqipëria me 549 raste, Maqedonia Veriore 493 dhe Serbia me 3,219.

Të premten, në Kosovë u konfirmuan shtatë raste të reja, 26 të shëruar dhe një vdekje lidhur me COVID-19, ndërsa vetëm 380 raste aktive janë në tërë vendin.

Infektologu, Salih Ahmeti ka thënë për BIRN se Kosova po përfiton nga një popullsi relativisht të re dhe me një shkallë mjaft e lartë të imunizimit.

“Ne kemi një popullsi shumë të re dhe një numër i konsiderueshëm i banorëve ose e kanë të zhvilluar imunitetin në mënyrë natyrale ose e kanë marrë imunitetin nga vaksina, “ka thënë Ahmeti.

Në një intervistë për Evropa e Lirë, kryeministri Albin Kurti tha se 64% e popullsisë  mbi moshën 16 vjeçare e kanë marrë të paktën një vaksinë anti-COVID-19. Përderisa me 2 nëntor, Kosova aprovoi vaksinimin e personave nga mosha 12 vjeç.

Ahmeti tha se vala e COVID-19 e muajit Gusht-Shtator ishte si rezultat i vizitës së diasporës dhe sepse kosovarët shkuan për pushime në regjione ku shihej “një nivel i vogël i respektimit të masave”.

Në muajin gusht, BIRN raportoi se rreth 1 milion persona kanë udhëtuar nga Kosova në periudhën korrik-gusht.

Deri në gusht, Kosova kishte 3 mijë e 489 raste aktive krahasuar me vetëm 166 raste që kishte rreth një muaj më parë, më 3 korrik.

Qeveria e Kosovës vendosi masa më strikte anti COVID-19 më 20 gusht për shkak të rritjes së papritur të rasteve dhe më pas për të vazhduar edhe për dy javë të tjera nga 12 shtatori.

Ahmeti shpjegon se Kosova tashmë është “në një periudhë të lehtë, e cila është në natyrën e virusit”.

Megjithatë, ai tha se “kjo qetësi duhet të përdoret për t’u përgatitur për mundësinë e një ballafaqimi me valë të tjera në javët në vijim”.

Banorët e Kosovës tashmë mund të vaksinohen pa caktuar termin, në qendrën më të afërt të vaksinimit ku ata jetojnë./BalkanInsight