Përçarja e bordit të KPMM-së, anëtarët tentojnë ta shkarkojnë kryesuesen

Anëtarët e bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale kanë shkarkuar kryesuesen e këtij bordi, Selvete Grajqevci – Pllana.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Ekonomi, Pllana bëri të ditur se është shkarkuar pa dijeninë e saj dhe në formë të kundërligjshme.

“Unë jam sot para jush këtu, me vendimin nga kuvendi i datës 6.12.2021, me të cilin jam zgjedh kryesuese. Anëtarët e bordit, Rrezarta Pushkolli, Gani Maliqi, Gani Kastrati, më kanë ndërprerë marrëdhënien e punës, këta në mënyrë të kundërligjshme po vazhdojnë po marrin vendime, ma kanë ndalur edhe pagën, unë kërkoj që ju ta vini drejtësinë në vend,  e kam vendimin e Kuvendit”- tha ajo.

Deputetja Mimoza Kusari- Lila ka kërkuar që të sqarohet se përse kryesueses Grajqevci-Pllana i është ndaluar edhe hyrja në zyrën e saj.

“Cilin vendim e keni përdor kur keni ardhur këtu, kryesueses i është ndaluar të hyjë në zyrat e KPMM-së” – pyeti Kusari.

Mimoza Kusari – Lila theksoi se bordi emërohet dhe shkarkohet prej Kuvendit të Kosovës.

“Bordi emërohet dhe shkarkohet prej Kuvendit, ju jeni votuar bashkë dhe jeni në pozicion të njejtë në këtë ligj, është qartë e specifikuar kush i thërret mbledhjet dhe kush i kryeson” – shtoi ajo.

Gani Maliqi, anëtar i Bordit tregoi përse e kanë marrë këtë vendim.

“Unë jam i përgatitur për temën e Ferronikelit,  kam ardhur për ketë çështje, por jam i gatshëm të përballem me çdo çështje, përderisa na ka ardhur një kërkesë nga kryesuesi i kuvendit, Glauk Konjufca që ta caktojmë kryesuesin. Ne kemi zgjedh ushtrues detyre Rrezartën, në mënyrë që mos të kolapsojmë”- tha ai.

Rezarta Pushkolli e cila ishte emëruar si u.d, tha që për këtë çështje ka pasur vetëm diskutime në korridore dhe jo ndonjë kundërshtim tjetër.

“Nuk ka pas ndonjë kundërshtim, përveç diskutimeve nëpër korridoreve, muhabeteve”- tha ajo.

Derisa, Pal Lekaj theksoi se është për keqardhje që merren vendime apriori, derisa për shkarkim bordi, sipas tij, duhet të ndiqen procedurat.

“Është për të ardhur keq që ju merrni vendime apriori. Unë mendoj që duhet të ndiqen procedurat për shkarkimin e bordit”- tha Lekaj.

Anëtari i Bordit, Jahir Gashi tha që distancohet nga veprimet e 3 anëtareve të bordit.

Neni 60 i Ligjit për miniera dhe minerale përcakton që anëtari i bordit shkarkohet nga Kuvendi.

Në dhjetor të vitit 2021, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur bordin e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Selvete Grajqevci Pllana është zgjedhur kryesuese e bordit ndërsa anëtarët e tjerë të këtij bordi janë: Jahir Gashi, Gani Kastrati, Gani Maliqi dhe Rrezarta Pushkolli Makolli.