Përbërja e Bordit Këshillëdhënës për luftën kundër COVID-19

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj sot ka themeluar Bordin Këshillëdhënës për Luftën Kundër COVID-19.

Sipas Zemajt, këtë bord do ta udhëheqë mikrobiologu Lul Raka, ndërsa do të jenë edhe 11 profesionistë shëndetësor.

Në konferencën e tij në qytetin e Gjilanit, Zemaj ka bërë të ditur emrat e profesionistëve që e përbëjnë këtë bord.

Sipas ministrit, ky bord do të ndihmojë Ministrin dhe Ministrinë e Shëndetësisë në përmirësimin e shëndetit publik, parandalimin e sëmundjeve fizike dhe mendore.

“Në kuadër të zgjerimit të kapaciteteve profesionale për t’i dhënë një përgjigje sa më gjithëpërfshirëse Covid-19, unë kam themeluar sot Bordin këshillëdhënës për Covid-19, i cili si trup do të ndihmojë Ministrin dhe Ministrinë e Shëndetësisë në përmirësimin e shëndetit publik, parandalimin e sëmundjeve fizike dhe mendore. Ky Bord që do të udhëhiqet nga profesori i Mikrobiologjisë Lul Raka dhe në të cilin ka edhe doajenë të mjekësisë kosovare dhe emra autoritativ si: profesorët dhe ekspertët Isuf Dedushaj, Muharrem Bajrami, Salih Ahmeti, Rukije Mehmeti, Isme Humolli, Xhavit Rexhaj, Xhavit Gashi, Pashk Buzhala, Besim Kodra, etj.,”, tha Zemaj.