
Përballja për Kupën e Kosovës
Sonte në “Pallatin e Rinisë” në Prishtinë, në ora 19:00, përballet KB Trepça dhe KB Bashkimi për Kupë të Kosovës në basketboll.
Ekipi mitrovicas triumfoi në gjysmëfinale ndaj KB Prishtinës, ndërsa KB Bashkimi mundi ekipin nga Gjakova.
“Xehetarët” kanë fituar shtatë herë Kupën e Kosovës, duke përfshirë edhe tri herët e fundit. Bashkimi ka fituar vetëm një herë këtë trofe të rëndësishëm, më 2001.
Në pesë takimet e fundit direkte mes tyre, mitrovicasit kanë tri fitore, derisa prizrenasit dy.
Sa i përket garave në ProCredit Superligë, të dy skuadrat kanë nga 14 fitore e 6 humbje.
Federata e Basketbollit të Kosovës ka njoftuar se të gjitha biletat për këtë finale janë shitur.
Kujtojmë që të pranishëm në palestër do të jenë edhe tifozat nga Mitrovica “Torcida” dhe ata nga Prizreni “Arpaxhiket”.