Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, 06.06.2024. Foto: KALLXO.com

Përballja Pacolli - Kadrijaj për 'ligjshmërinë' në Komisionin hetimor

Komisioni hetimor parlamentar për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka shkaktuar tensione të vazhdueshme mes pozitës dhe opozitës në mbledhjet e mbajtura që gati gjashtë muaj, se kush po shkel ligjin e kush jo. Përplasjet po vazhdojnë edhe pse deputetët dolën në pushim veror, ndërkaq punët në komision edhe pas gati gjashtë muajsh ende nuk kanë brumin për hetim, dëshmitarët.

Së fundmi, grupi i deputetëve të Vetëvendosjes po akuzojnë kryesuesen e komisionit hetimor parlamentar për Ministrinë e Punëve të Jashtme, Time Kadrijaj (AAK), se ka shkelur rëndë ligjin për hetim parlamentar dhe se po pengon në kryerjen e punës së komisionit duke mos vënë në votim listat e dëshmitarëve.

Në një kërkesë që kanë dërguar në adresë të saj dhe të Kuvendit të Kosovës më 31.07.2024, e nënshkruar nga deputetët Fitore Pacolli, Arbëresha Kryeziu, Gazmend Gjyshinca, Haxhi Avdyli, Jeta Statovci dhe Erxhan Galushi, e kanë cilësuar si shkelje ligjore largimin e kryetares nga mbledhja e komisionit më datë 31.07.2024 dhe mos-hudhjen në votim të listave të dëshmitarëve.

Në mbledhjen e fundit, Kadrijaj e braktisi sallën së bashku me nënkryetaren e komisionit Ariana Musliu- Shoshi. Këtë largim nga mbledhja, Vetëvendosja e ka cilësuar si të papranueshëm dhe shkelje ligjore, duke u thirrur në Ligjin për hetim paralamentar që mbledhja mund të ndërpritet vetëm në mungesë të kuorumit.

Fajin për këtë kaos që po ndodh në këtë komision në të cilin është bllokuar puna e që deputetët kanë nisur pushimin veror pa zgjidhje se si do të vazhdojnë punën në sesionin vjeshtor, Time Kadrijaj po ia lë deputetes Fitore Pacolli.

Kadrijaj thotë që nuk e ka ndër mend ta hedh në votim një listë të dëshmitarëve që sipas saj bie në kundërshtim me mandatin e komisionit  dhe vendimin e Kuvendit të Kosovës, i cili u themelua për periudhën kohore 2021-2023, e jo me dëshmitarë që përkojnë nga viti 2011 qysh po kërkon Vetëvendosja.

“Aty ku është Fitore Pacolli bari nuk mbin. Edhe me vjen keq për këta deputetët tjerë që janë bërë si Fitorja, kanë ra në grackën e saj, sepse ne e patëm një dakordancë në seancën para saj që mos të bllokohet puna e komisionit, por në momentin që ka ardhë Fitorja ja ka ndërruar krejt qëndrimin edhe deputetëve tjerë dhe ka insistuar në qëndrimin e saj”- tha Kadrijaj për KALLXO.com.

Ndërsa për largimin e saj nga mbledhja e komisionit, Kadrijaj tha se është drejtë e e saj si deputete që të largohet nga mbledhja kur i kërkohet të vë në votim diçka që nuk përkon me vendimin e seancës plenare.

“Jam mundu me pas një unitet, sa kam votu edhe dëshmirët që mos të pengohet puna. As ekspertët që i kanë votuar vetë, në secilën seancë i kanë fyer vet. Se na kemi kërku që ata ta përpilojnë një listë të dëshmitarëve por nuk u marr parasysh nga Vetëvendosje”- tha ajo.

Deputetja Pacolli e cila ka bërë publike këtë kërkesë me titullin “Kërkesë për rikthimin e ligjshmërisë në udhëheqjen e komisionit hetimor lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës”, ka thënë nëse vazhdon në këtë mënyrë do ta paraqesim në Prokurinë e Shtetit për shkelje të rëndë. 

“Opozita nuk po mundet me pranu që në demokraci vendos shumica. E as nuk po e kupton që kjo gjendje nuk ndryshon duke bllokuar mbledhjet. Më mirë ta pranojnë realitetin sepse ne do të vazhdojmë të mbesim shumicë edhe për shumë vite”- ka thënë Pacolli.

Kërkesa e deputetëve të  LVV-së është që tri listat: lista propozuar nga LVV; e ekspertëve; dhe e opozitës, të vihen në votim dhe të fitoj vota, ose të vazhdohet me listën e propozuar nga ta deri te numri 11 që përfundon me emrat e ish-ministrit Enver Hoxhaj dhe ministres të Jashtme Donika Gërvalla- Schwarz, e pastaj të vazhdohen emrat nga opozita. 

Kurse, deputetët e opozitës, në këtë rast të PDK-së dhe AAK-së nuk e pranojnë një gjë të tillë duke vënë në pikëpyetje radhën e intervistimit të Enver Hoxhajt dhe duke kërkuar që ministrja Gërvalla të intervistohet në fund në arsyetimin se ky komision hetimor është themeluar për të hetuar keqpërdorimet në Ministrinë e Jashtme që nga vitit 2021 e tutje.

 Sipas tyre, nëse LVV do të bëjë hetim për vitet paraprake le të themelojë një komision tjetër.

KALLXO.com ka përcjellur të gjitha mbledhjet e komisionit. Diskutimi për të zgjedhur këtë listë ka zgjatur që më shumë se katër mbledhje. Përveç përplasjes mes deputetëve, nuk ka pasur votim tjetër përpos të rendit të ditës.

Edhe pse është themeluar qysh në mars të vitit 2024, Komisioni  hetimor parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ende nuk ka arritur të gjejnë zgjidhje për mënyrën se si të vazhdojnë punën tutje.

Deri më tani kanë arritur ta intervistojnë vetëm një dëshmitar, ish-Sekretarin e MPJD-së, Behar Isma.

Iniciatorja e komisionit, deputetja Musliu- Shoshi kishte kërkuar dokumentacione që i përkasin periudhës 2021 – 2023, ndërkaq pozita ka kërkuar dokumente edhe para mandatit të tyre.

Musliu- Shoshi kishte kërkuar që të themelohet ky komision që t’i hetojë të gjitha “degradimet që janë bërë në MPJD”, duke përfshirë procedurat e rekrutimit, emërimet e stafit, transferimet e çështje të tjera.

Ndër tjera, Musliu- Shoshi, kishte kërkuar procesverbalet, dosjet, shpalljet e konkurset, vendimet e komisioneve, përbërjen e komisioneve, vendimet për transferet e brendshme, vendimet për transferet paralele nga një mision në tjetrin, procedurat e emërimit, qasja në vendimin për dërgimin e diplomatëve në mandatin e parë, vendimet për emërimet zyrtarëve nga jashtë, qasje në pagat e diplomatëve, dosjen e ish-sekretarit Behar Ismës, qasje në shpenzimet e kabinetit të ministres Gërvalla.