Përballja me mitet e përdhunimit

Në mënyrë që ta çrrënjosë dhunën seksuale, shoqëria kosovare duhet të përballet me kulturën e saj të përdhunimit dhe të demaskojë të pavërtetat që sillen rreth koncepteve të dhunës seksuale.

Një seri sulmesh seksuale ndodhën në Mitrovicë dhe Gjilan këtë muaj duke u bërë kryetituj lajmesh në të gjithë Kosovën dhe u dënuan gjerësisht nga shoqëria kosovare. Megjithëse denoncimi i tyre do të duhej të ishte i mirëpritur, është për keqardhje fakti që këto krime po marrin vëmendje vetëm atëherë kur po ndodhin shumë shpesh, dhe brenda një hapësire aq të shkurtër kohe, saqë po bëhet një anomali.

Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, nga muaji Janar deri me datë 11 maj të këtij viti, janë raportuar 40 raste të dhunës seksuale, 35 raste janë raportuar nga gratë, dy raste nga burrat dhe tre raste nga njerëz të gjinisë së panjohur. Vitin e kaluar ka pasur 166 raste të regjistruara të dhunës seksuale, 145 prej të cilave janë raportuar nga gratë, 17 sosh nga burrat dhe shtatë të tjera nga njerëz të gjinisë së panjohur.

Dhuna seksuale është pranuar si një problem i shëndetit publik dhe të drejtave të njeriut për shumë vite, dhe pasojat që kjo dhunë sjell tek viktimat e saj nuk janë vetëm fizike, por edhe mendore.

Përveç ndikimit nga vetë përvoja e dhunshme, shumë të mbijetuar nga dhuna seksuale përballen me stigmën (anatemimin) sociale kur një gjë të tillë ata ia zbulojnë ndonjë pale të tretë. Kjo pastaj deformohet në një formë të viktimizimit sekondar, reagim ky që do të konsiderohej i papranueshëm kur individi është viktimë e krimeve të tjera të dhunshme, të tilla si grabitja apo sulmi.

Shumë shpesh shoqëria kosovare i mbyll sytë kur kemi të bëjmë me dhunë seksuale. Të nënshtruarit e grave injorohet. Heshtja inkurajohet. Viktimat fajësohen dhe dhuna arsyetohet.

Kjo ndodh pjesërisht për shkak të mbizotërimit të asaj që studiuesit feministë amerikanë në vitet 1970 i janë referuar si “kultura e përdhunimit”, e përkufizuar si “një grup i ndërlikuar besimesh që inkurajon agresionin seksual të burrave dhe mbështet dhunën ndaj grave.” Në vitet 1980, psikologia Martha Burt prezantoi një seri faktorësh që legjitimojnë kulturën e përdhunimit, duke përfshirë forcimin e roleve tradicionale gjinore, besimet antagoniste seksuale dhe nivelet e larta të dhunës ndërpersonale.

Në Kosovë, ne e shohim këtë kulturë teksa shprehet përmes qindra komenteve në platformat e ndryshme të mediave sociale, duke fajësuar gratë dhe vajzat për veprimet e dhunshme seksuale të burrave dhe duke u kënaqur me sulmet në internet dhe sharjet slut-shuamingndaj tyre (slut-shaming – një lloj kritike e turpshme ndaj grave seksualisht aktive). Pastaj e shohim këtë kulturë teksa autorizohet edhe në gjykatat e vendit, ku përdhunuesit lihen të lirë apo vuajnë një denim minimal.

Burt zhvilloi gjithashtu konceptin e ‘miteve të përdhunimit’, të cilat ajo i përkufizoi si ‘besime paragjykuese, stereotipe ose besime të rreme për përdhunimin, viktimat e përdhunimeve dhe përdhunuesit’, dhe hedhi idenë se ato shërbejnë për të krijuar një klimë që është “armiqësore ndaj viktimave të përdhunimit. “

Keqkuptimet dhe besimet e rreme ndikojnë në të kuptuarit e shoqërisë për dhunën seksuale dhe shpesh edhe për arsyetimin ndaj saj dhe, në mënyrë që të krijohet një shoqëri ku dhunuesit mbahen përgjegjës dhe viktimat të marrin drejtësinë, mitet e ndërlidhura  me përdhunimin duhet të zëvendësohen me fakte të vërteta.

Ka shumë të vërteta që janë rrënjosur në të kuptuarit e shoqërisë në atë se si ndodh dhuna seksuale, duke ndikuar në interpretimin e tyre dhe në të kuptuarit e saj. Njëra është se kur dikush pi alkool ose merr drogë, ata nuk kanë të drejtë të flasin kundër dhunimit ose sulmit seksual.

Ky është një mit. Sipas nenit 225 të Kodit Penal të Kosovës, pëlqimi (miratimi) nuk mund të merret kur një person nuk është në gjendje të pajtohet me aktivitetin seksual për shkak të dehjes nga alkooli, droga ose substanca të tjera. Askush nuk kërkon apo meriton të sulmohet seksualisht – qoftë esëll apo jo.

Një tjetër ide e gabuar në të cilën besohet zakonisht, është se gratë ka shumë të ngjarë të dhunohen nga një i huaj që rri i fshehur dhe pret momentin e duhur që të sulmojë. Sidoqoftë, më shpesh sesa asnjëherë, një person që njeh viktimën kryen dhunë seksuale.

Kjo njihet si përdhunim i të njohurit, dhe megjithëse nuk ekziston ndonjë hulumtim në lidhje me statistikat e këtij fenomeni në Kosovë, një studim i 30 vendeve evropiane nga Instituti Kërkimor i Kombeve të Bashkuara, KB, bëri të ditur se gjysma e viktimave të përdhunimit i njihnin sulmuesit e tyre dhe mbi një e treta e tyre i njihnin ata me emër. Në tjetër studim i bërë nga Komisioni Evropian zbuloi se mbi 67% e përdhunuesve ishin të afërt me viktimën – shumica ishin partnerë aktualë ose ish partnerë.

Keqkuptimet në lidhje me këtë janë të dëmshme, pasi ato përjetësojnë idenë se gratë duhet të fajësohen për sulmin e tyre seksual për shkak se kanë dalë natën të vetme, dhe shpesh përdoren si një arsyetim për të kufizuar lirinë e grave.

Një mit tjetër ka të bëjë me atë se njerëzit shpesh bëjnë pretendime të rreme për dhunim sa herë pendohen pasi të kenë kryer ndërveprim seksual, ose e bëjnë këtë për të marrë vëmendje. Një studim i vitit 2010 në Shtetet e Bashkuara zbuloi se gjatë një periudhe 10 vjeçare të analizave, statistikat e pretendimeve të rreme përbëjnë vetëm midis 2 dhe 10 përqind të raporteve të dhunës seksuale.

Ndoshta miti më i madh që sillet rreth dhunës seksuale është se nxitet biologjikisht, dhe është rezultat i një dëshire të pakontrollueshme. Sidoqoftë, studimet tregojnë se, në thelb të saj, dhuna seksuale nuk ka të bëjë me seksin. Autori i “Burrave që Përdhunojnë”, (Men Who Rape) A. Nicholas Groth, hedh poshtë këto keqkuptime të mashkullit epshor duke u bërë viktimë e një gruaje provokuese në një studim të kujdesshëm e klinik të shumë dhunuesëve seksualë, të botuar në 1979.

Në studim, Groth vërtetoi se dhuna seksuale është një shprehje e fuqisë dhe zemërimit, dhe e përshkruan përdhunimin si një akt pseudoseksual: është komplekse dhe përcaktohet nga faktorë të shumtë, kryesisht çështje të armiqësisë, zemërimit, fuqisë dhe kontrollit, dhe jo çështje të pasionit ose seksualitetit.

Eshtë e rëndësishme që këto mite të ndërlidhura me dhunimet të kundërshtohen vazhdimisht. Demaskimi i të pavërtetave dhe sensibilizimi i publikut për aspekte dhe variante të ndryshme të dhunës seksuale është thelbësore në frenimin e pasojave që ndryshojnë jetën.

Eshtë gjithashtu e rëndësishme që të parandalojmë dhunën seksuale në të ardhmen. Edhe pse ne kemi ruajtur historikisht një model të parandalimit duke i mësuar fëmijët tanë se si të mos dhunohen, duhet të parandalojmë që fëmijët të mos rriten si dhunues.

Ne i mësojmë ata të mos gënjejnë, mashtrojnë dhe vjedhin. Ne gjithashtu duhet t’i mësojmë ata të mos përdorin dhunën për të shprehur zemërimin e tyre. Dhe ne duhet t’i mësojmë ata se çfarë nënkupton pëlqimi (miratimi). Rruga përpara në çrrënjosjen e dhunës seksuale qëndron në edukimin gjithëpërfshirës seksual dhe në modelet e menaxhimit të zemërimit.

Eurisa Rukovci është Drejtoreshë Ekzekutive e OJQ-së “Social Lab”  si dhe bashkë krijuese e  aplikacionit “Shnet” për shëndetin seksual, i pari i këtij lloji në Kosovë. Ajo është edhe autore e librit feminist “Hyjnesha”. Ka përfunduar studimet në Departamentin e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës.

Në rubrikën e mendimeve reflektohet qëndrimi i autorëve dhe jo domosdoshmërisht qëndrimi i BIRN/KALLXO.com