Përballja e Zenun Elezajt me opozitën për problemin e ujit dhe pronat e uzurpuara - VIDEO

Kryetari Zenun Elezaj gjatë debatit “Jeta në Komunë” u sfidua nga asamblistët opozitarë për çështjen e mungesës së ujit të pijes dhe për listën e pronave komunale të uzurpuara.

Esat Raci, asamblist i Partisë Demokratike të Kosovës kërkoi të dijë nga kryetari Elezaj për gypat e ujit që janë vendosë në 11 fshatra të Klinës që nga viti 2022 dhe “se prapë nuk kanë ujë”. 

“Çka u bë me gypat për 11 fshatrat verilindore?! Nga viti 2022 gypat janë të shtrim, është projekt i CDI-së. Qytetarët e atyre fshatrave ende bartin ujë me cisterna” – tha Raci, i cili njëherësh në zgjedhjet e fundit ka qenë kundërkandidat i Elezajt nga PDK.  

Esat Raci, PDK

Elezaj u kundërpërgjigj duke thënë se në kompentencë të tyre ka qenë shpronësimet, e që ende nuk është zgjidhur në kuadër të projektit të fundërruesit – i cili filtron ujin që vjen nga lumi duke e shëndrruar në të pijshëm. 

“Për projektin e fshatrave lindore ka fillu në vitin 2019 është bërë nga donacioni zvicerran, menaxhimi e ka bo hidrodrini. Komuna ka qenë me asistencë të këtij projekti” “Këto fshatra kur përfundon projekti i fundërruesit do të kenë ujë por janë dy cështje që nuk janë përfundu është njëra se KEDS-i nuk ka leju finalizimiin e trafo-s dhe tjetra ka të bëjë me një shpronësim për një distancë 300 metra, problem të cilin do ta zgjidhim me shpronësimin e transitit i cili është në fillim të procedurave” “Ne jemi zotuar se do të bëjmë shpronësimin”  – shtoi Elezaj në “Jeta në Komunë” më 12.10.2024. 

Pas tij, Esat Raci tha se “po vazhdojmë me avazin e vjetër të kryetarit, prapë banorët e atyre fshatrave nuk do të kenë ujë”.

Në mbrojtje të qeverisjes së Elezajt doli asamblisti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Valmir Bacaj i cili i tha Esat Racit se “më së paku ka të drejtë PDK me akuzu për ujë të pijës sepse ka qeverisë për dhjetë vite”.

Valmir Bacaj – AAK

Përderisa, asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Limani tha se në periudha të ndryshme deri tash janë investu diku 4 milionë për cështjen e ujit të pijës edhe se ende nuk ka zgjidhje.

“Çështja e këtij fundërruesi në 850 mijë euro me konsultë të kësaj fushe me kanë thanë se  fundërruesi do të furnizohet nga uji i Drinit të Bardhë, dhe dihet se Istogu krejt derdhjet e kanalizimit i ka në Drinin e Bardhë. Shumë e dyshimtë që ky fundërruesi ka me arritë me furnizu fabrikën e ujit” – tha Limani. 

Arben Limani, LDK

Në anën tjetër, “alarmante” e ka quajtur gjendjen e ujit edhe në institicionet arsimore në Klinë, asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Valmira Krasniqi. 

“Uji i papijshëm në shkollat duke rreziku shëndetin e fëmijëve, nuk keni arritë të pastër në institucione arsimore. Kam dalë edhe e kam pa se në çfarë gjendje janë gypat e ujësjellësit në Gllarevë dhe tri shpimet tjera që janë bë në fshatin Përçevë, kush ka me dhanë përgjegjësi për këto dështime” – tha Krasniqi. 

Gjatë debatit, asamblistja e LDK-së, Marigona Racaj kërkoi llogari edhe për mungesën e gjinekologut në QKMF-në e Klinës. 

“Ka më shumë se një vit që në QKMF-në nuk ka gjinekolog, dhe jeni duke premtuar mjete diagnostik po kush do ti shërbejë?” – pyeti Racaj. 

Marigona Racaj, LDK

Lidhur më këtë u përgjigj drejtori i Shëndetësisë Agron Bacaj, i cili tha se “është e drejtë ekskluzive e Ministrisë së Shëndëtësisë dhe se komuna nuk ka rol në programin e mjekëve specialist të gjinekologjisë”.

“Ka ose që kanë dalë në pension… Momentalisht Klina nuk ka gjinekolog të papunë. Nuk vinë nga Prishtina në Klinë me punu” – tha Bacaj. 

Një temë tjetër që nxiti debat në Kuvendin Komunal të Klinës janë edhe pronat e uzurpuara të cilat janë komunale. Këtë e ngriti asamblisti i PDK-së Kushtrim Haliti. 

“Komuna e klinës nuk ka listë të pronës së uzurpuar edhe pse disa herë është kërku këtu në kuvendin komunal. Nuk na është dhëna lista nga kryetari as nuk ka dhanë llogari kërkush. Në mesin e shumë pronave publike që individ të ndryshëm i kanë marrë nga komuna dhe i shfrytëzon dikush tjetër. E ka marrë me qira nga komuna, e ka dhanë me qira pastaj te dikush tjetër me qira me të lartë, qeraxhiu i tretë” – tha Haliti. 

Kushtrim Haliti, PDK

Për këtë temë, kryetari Zenun Elezaj tha se për herë të parë është themeluar një komision i cili vlerëson gjendjen sociale të banorëve që i kanë ato prona. 

“E kisha lutë me emra me dalë, unë e kam themelu një komision i cili vlerëson gjendjen sociale të banorëve ku kanë dalë shumë probleme, dhe tani janë duke u be komunikime që janë dhënë rekomandime se disa këtu nuk jetojnë, nuk i kam dhënë unë ato”  – tha Elezaj.