Afrim Llabjani, drejtor i Arsimit në Ferizaj - Foto: KALLXO.com

Përballja e pushtetit të Ferizajt me projektet e promovuara por që dolën me telashe

Gjatë mandatit të tij si kryetar i Ferizajt, Agim Aliu, promovoi disa projekte të realizuara në terren.

Një nga projektet e promovuara është edhe nënkalimi i ri në Ferizaj, segmenti i parë i të cilit u lëshua në qarkullim më 09.08.2024.

Në terren u gjet se në këtë nënkalim ka lagështi në mure.

Drejtori i Infrastrukturës në Ferizaj, Meriton Hajdini, në debatin “Jeta në Komunë” deklaroi se ky projekt ende nuk ka përfunduar.

Drejtori i Infrastrukturës në Ferizaj, Meriton Hajdini – Foto: KALLXO.com

Probleme u gjetën edhe te rruga “Ahmet Kaçiku”, e promovuar si rrugë model nga kryetari Aliu.

Në terren u gjetën puseta nën nivelin e rrugës e gropë.

Për këtë rrugë, Hajdini thotë që në këtë rrugë është shtuar trotuari dhe shtegu i biçikletave.

Projekt tjetër i promovuar është edhe objekti i ri i KRM ‘Pastërtia’, objekt në të cilin u gjet lagështi, çarje në mure dhe dyshemenë e objektit.

Punimet janë ndërprerë në projektin e promovuar të shkollës “Konstadin Kristoforidhi” në Neredime të Epërme.

Rrethojat e këtij objekti të papërfunduar po rrezikojnë nxënësit e shkollës që luajnë në afërsi.

Blerim Rexhepi, drejtor i shkollës, thotë që ka muaj që nuk ka parë punime.

‘Kah fundi i gushtit i kam pa që i kanë vendosë dritaret. Rrethojat dy-tri herë janë rregullu por për momentin janë dëmtu dhe rrezikojnë nxënësit’ – deklaroi Rexhepi.

Në shtator të vitit 2023 u promovua edhe Qendra Rinore e Kinemaja në Ferizaj.

Në objektin e Qendrës Rinore u gjet se muret i ka me lagështi, ngjashëm edhe bodrumi e tavani. Në anën tjetër, kinemaja nuk ekziston. Objekti është por nuk ka as ulëse e as pajisje për kinema. Në hapësirën në të cilën mendohej të kishte kinema ka çarje në dysheme dhe lagështi në mure.

Për këto objekte, drejtoresha e Kulturës, Xhemile Murati-Shabani, tha se janë trashëgimi nga ish-pushteti.

‘Ka punë ende të papaërfunduara, kemi paraparë edhe fazën e dytë të punimeve. Faza e dytë kryhet në mënyrën e rrjedhjes së procedurave. Duhet të shpallen procedurat përmes Zyrës së Prokurimit, nuk mund të japim afate sepse procedurat mund të zgjasin’ – deklaroi Murati-Shabani.

Drejtoresha e Kulturës në Komunën e Ferizajt, Xhemile Murati-Shabani – Foto: KALLXO.com

Në Ferizaj u promovuan edhe tri salla të edukatës fizike, ajo në shkollën “Astrit Bytyçi”, ajo në Fshatin e Vjetër dhe ajo në Balaj.

Sallat kanë mungesë të qasjes për persona me aftësi të kufizuar si publik, kanë mungesë të pajisjeve sportive të gjimanstikës si dhe të sporteve si basketbolli e volejbolli. Mësimdhënësit dhe drejtorët e shkollave tregojnë edhe për telashet me shtyllat e metalta brenda sallave që u rrezikojnë nxënësit.

Salla në Fshat të Vjetër nuk ka as instalim të energjisë elektrike dhe të ujit.

Për këto salla, drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani tha se janë në dijeni për këto telashe dhe se po punohet për t’i sanuar.

‘Keto janë çështje që nuk janë realizuar mirë nga ana e projektuesit. Këtë vit kemi paraparë që t’i evitojmë ato problematika që janë shfaqur në ato salla’ – deklaroi Afrim Llabjani.

Drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani – Foto: KALLXO.com

www.kallxo.com