Përballja e Burim Berishës me punën e tij në Fushë Kosovë

Megjithëse është zgjeruar me ndërtime dhe qyteti ka pësuar ndryshime ndër vite, Fushë Kosova tash e katër mandate nuk e ka ndërruar qeverisjen.

Qyteti multietnik që përballet me probleme të varfërisë, infrastrukturës, kanalizimit, e ujit udhëhiqet nga Burim Berisha i LDK-së.

Kryetari i Fushë Kosovës u përball me opozitën, qytetarët dhe hulumtimet nga kjo komunë në debatin “Jeta në Komunë”.

Atij iu prezantuan matjet e Krypometrit lidhur me premtimet që i mbajti dhe ato që nuk i mbajti.

Përveç kësaj, qytetarët e Fushë Kosovës paraqitën kërkesat dhe ankesat e tyre për qeverisjen lokale.

Përveç Burim Berishës, të ftuar në debat përballë Jeta Xharrës ishin edhe Durim Hajra nga Lëviyja Vetëvendosje, Remzi Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës si dhe Qerim Gara, nënkryetar për Komunitete i Komunës së Fushë Kosovës nga PDAK.

Përballja e Berishës me Krypometrin

Në fushatën e 2017-tës Burim Berisha kishte dhënë disa premtime në këmbim të votës për të marrë udhëheqjen e komunës për të katërtën herë.

Hulumtimi megjithatë tregon se Berisha nuk ka arritur të mbajë premtimin e dy mandateve të tij për ndërtimin e një çerdheje publike në këtë qytet.

Aktualisht Fushë-Kosova ka vetëm një çerdhe publike.

 I pari i Fushë Kosovës tha se kanë bërë përpjekje përmes Ministrisë së Arsimit për ndërtimin e një çerdheje por nuk ka qenë e mundur.

“Për çerdhe jemi në problem për shkak të stafit por ka mbi njëzet çerdhe private në Fushë-Kosovë. Kemi pas një përpjekje përmes MASHT-it, por nuk patëm tokë më ndërtu, ne kemi probleme edhe me staf. Në Miradi para një viti është bërë një çerdhe me partneritet publiko-privat, një të njëjtë  mund ta bëjmë edhe në Bardh”, tha ai.

Në Fushë-Kosovë mund të gjesh shkolla me 48 nxënës në një klasë për shkak të rritjes së shpejt të popullatës.

Kryetari Berisha tha se janë në pritje të ndërtimit edhe të një shkolle në zonat kritike me numër të madh të nxënësve.

“Ne tash kemi katër shkolla fillore. Në vitin e kaluar e kemi përfundu një me para të Komunës shkolla “Mihal Grameno” është zbutur për rreth 1 mijë e 200 nxënës që kanë kaluar në shkollën e re. Presim të fillojmë ndërtimin e një shkolle tjetër në këtë pjesën që është e sulmuar nga numri i nxënëseve”, tha ai.

Burim Berisha nuk ka arritur të realizojë as premtimin e tij për ndërtimin e kuzhinës për shkolla. Ai madje kishte premtuar “diçka më shumë se kifle”.

Ai gjatë debatit “Jeta në Komunë”, pranoi se nuk ka arritur të përmbushë këtë premtim.

“Njeriu me i realizu të gjitha premtimet është gjë fantastike po nuk mundesh”, ishte shpjegimi i Berishës.

Ambulanca të braktisura e me rrezik për qytetarët

Përpos gjendjes në arsim, Fushë Kosova përballet edhe me probleme në fushën e shëndetësisë.

Në debat, Berisha është përballur edhe me gjetjet e hulumtuesve të KALLXO.com në lidhje me gjendjen e ambulancave në Bardh të Vogël, Henc dhe Graboc.

Komuna e Fushë-Kosovës ka investuar në ndërtimin e ambulancave nëpër fshatra por disa prej tyre janë demoluar pasi autoritetet komunale nuk arritën të sigurojnë staf për të punuar në këto ambiente.

Ambulanca në fshatin Bardh i Vogël është bërë e rrezikshme për banorët. Nga fotot mund të vërehen produktet mjekësore të hedhura në tokë.

Edhe ambulancat në fshatin Henc dhe Graboc janë jashtë funksionit, por këto dyja nuk shkaktojnë ndonjë rrezik për banorët pasi janë të zbrazura.

Ambulanca në fshatin Graboc, Fushë Kosovë
FOTO Nëntor 2020

I pyetur në lidhje me këto, kryetari ka thënë se nuk është bërë planifikimi i duhur kur këto ambulanca janë ndërtuar. Ai shtoi se nuk kanë një plan konkret për to por që ekziston opsioni që ato të rrënohen dhe të ndërtohen të reja.

“Atëherë kur janë bo janë bërë pa planifikim të duhur edhe nuk dimë se çfarë të bëjmë më to. Po, unë i kam bërë, në mandatin tim janë ndërtuar këto. Ndoshta duhet të rrënohen dhe të ndërtohen të reja”, tha ai.

Ndërsa asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Durim Hajra, tha se ndërtimi i këtyre ambulancave “është mundësi me përfitu ma shumë – kjo është strategjia”.

Idetë e kryetarit të Fushë-Kosovës për zgjidhjen e problemit të mbeturinave inerte

Vrulli i ndërtimeve në Fushë-Kosovë nuk po i lë shumë vend hapësirave të gjelbra në qytet, por as në fshatra.

Hapësirat e gjelbra në disa fshatra po zëvendësohen me deponi të mbeturinave, pasi kjo komunë nuk ka deponi legale për mbeturina inorganike.

Në fshatin Vragoli të kësaj komune, në vendin që njihet si Ramnishta, mbeturinat inerte e kanë kthyer hapësirën e gjelbër në deponi ilegale të mbeturinave.

Kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha, tha se në disa fshatra ka problem me mbeturinat inerte.

Sipas tij, për këto mbeturina do të duhej të bëhej zgjidhje në nivel Kosove.

“Në Miradi të Ulët, në Vragoli, Harilaq, Sllatinë e Madhe, Kuzmin, këto ndoshta kish me qenë një zgjidhje në nivel të Kosovës por me bo përnime jo për mahi dhe të gjitha mbeturinat inorganike të ngurta që nuk janë të rrezikshme të bëhet një projekt për ta pastruar krejt Kosovën edhe neve dhe për t’i vendos në mihjen sipërfaqësore në Bardh”, tha Berisha.

Berisha tregoi se në Fushë-Kosovë nuk ka deponi legale inorganike dhe ka propozuar që një për një deponi të tillë të shfrytëzohet hapësira e ish-mihjes në fshatin Bardh.

“Në ish mihjen e Bardhit është hapësirë e madhe mund të vendosen dhe të mbulohen pastaj sepse janë të ngurta dhe nuk paraqet ndonjë rrezik sikur këto që mund të lëshojnë erëra”, tha Berisha.

Berisha tregoi që ka biseduar me disa kryetarë rajonalë për këtë çështje por sipas tij ashtu siç po ndërrohen qeveritë po mbesin edhe punët.

Berisha ka folur edhe për rrjedhjen e kanalizimit të fshatrave në lumenj.

Në lumin Sitnica në Fushë-Kosovë shkarkohen edhe ujërat e zeza të Prishtinës. Deponia ilegale vazhdon të mbetet edhe në fshatin Kuzmin, ku më 7 shtator të këtij viti ekipi i KALLXO.com ka parë mbeturina të shumta. Ndërsa me 4 nëntor Komuna është kujdesur që ta pastrojë këtë zonë.

Berisha tha se edhe ndërtimi i impiantit për ujërat e zeza është një projekt i Qeverisë dhe i Ministrisë së Mjedisit.

“Janë dy-tri variante tek ne, janë duke u hulumtuar dy lokacione ku do të vendoset që impianti i madh”, tha Berisha duke përfunduar se ky projekt është shumë i shtrenjtë, i komplikuar dhe sipas tij është në fazën e projektimit.

Mospajtimet e asamblistëve të Fushë-Kosovës rreth ujit të pijshëm

Kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha, ka thënë se e gjithë komuna është e lidhur me sistem të ujësjellësit.

Por, çështja është ngritur për lagjet 28 dhe 29, kur banorët e komuniteteve kanë thënë se uji nuk është i pijshëm.

Kjo lagje ka probleme edhe me sistemin e kanalizimit.

Kryetari Berisha tha se lagjet ku jetojnë komunitetet janë të ngushta dhe ka probleme me çdo punë që e bëjnë.

“Lagja 28 dhe 29 është shumë e ndërlikuar, kanë shtëpi të vogla dhe të ndërtuara një mbi një saqë ne kemi problem edhe kur e bëjmë kanalizimin nëpër rrugë, sepse janë shumë të ngushta, edhe një ujësjellës, asfalt, ndriçim edhe pse kemi bo punë të jashtëzakonshme atje”, tha Berisha.

Qerim Gara, nënkryetar për komunitete i Komunës së Fushë-Kosovës tha se në ato lagje ka mbipopullim dhe gypi i kanalizimit nuk i përballon të gjitha shtëpitë. Kurse, sipas tij, uji në ato lagje nuk pihet.

“Atëherë o kanë numër i vogël i banorëve. Tash në atë lagje janë 350 shtëpi. Janë lidh krejt me atë gyp”, tha Gara duke shtuar se deri në fund të mandatit do të punojnë për ta rregulluar këtë problem.

Sa i përket ujit të pijshëm Gara tha se lagjet e komunitetit të tij nuk janë lidhur me ujë të pijshëm.

“Ne për momentin nuk kemi ujë të pijshëm sepse jemi lidh në bunare të Kuzminit”, tha ai.

Durim Hajra, asamblist nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se edhe pse është bërë lidhja me ujësjellësin me fabrikën në Shkabaj, tha se ujë të pijshëm nëpër fshatra nuk ka.

“Ujë në fshatra nuk ka. Nuk është bo zgjidhje”, tha Hajra.

Ndërsa Remzi Shala, asamblist nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka insistuar se uji është i pijshëm.

“Nëse nuk ju pëlqen sepse unë e kam ujin e njëjtë në fshatin tim Henc. Çdo herë bëhen testet biokimike dhe bakteriologjike, uji është i pijshëm po unë nuk e përdori por e blej”, tha ai.

 

Komuna e Fushë Kosovës si odë burrash, vetëm me një drejtoreshë

Burim Berisha, në zgjedhjet e vitit 2017 në Debat Pernime kishte premtuar se katër drejtori të kësaj Komune do të udhëhiqeshin nga gratë.

“Do t’i bëj katër drejtoresha gra”, kishte thënë ai.

Por, një premtim të tillë nuk kishte arritur ta realizonte pasi aktualisht nga 11 drejtori sa ka Komuna e Fushë-Kosovës, vetëm një udhëhiqet nga një grua.

Mandati i kryetarit është filluar me 3 drejtoresha gra. Mimoza Kolshi, Drejtoreshë e Shëndetësisë e cila pas pushimit të lindjes nuk është kthyer në vendin e punës dhe është zëvendësuar me Jakup Dumani drejtor burrë. Drejtoresha e Administratës, Nurije Fazliu ditë më parë ka dhënë dorëheqjen nga kjo pozitë, pasi që e njëjta ka kaluar në një punë tjetër, edhe kjo është zëvendësuar me Afrim Krasniqi drejtor burrë. Ndërkaq, Nurije Avdiu drejtoreshë për Kulturë, Rini dhe Sport është e vetmja grua që udhëheq me drejtori.

Në lidhje me këtë, Burim Berisha, përballë Jeta Xharrës ka thënë se e pranon publikisht që nuk ka mundur ta realizojë premtimin.

“Dy gra kanë qenë edhe njëra para një jave dite ka kalu në shërbim civil, vetë është tërheq. Tash me një, i  bëj edhe një a dy. Unë e pranoj publikisht që nuk kam mujt me i bo”, ka thënë i pari i Fushë Kosovës.

Kryetari e pranon se nuk shkon në mbledhjet e Kuvendit Komunal

Gjatë debatit që u transmetua më 12 nëntor të këtij viti, kryetari Berisha kishte pohuar edhe një fakt të raportuar nga ekipi i KALLO.com, lidhur me pjesëmarrjen  tij në mbledhjen e Kuvendit Komunal.

Kryetari Berisha ka pranuar vetë faktin se nuk shkon në mbledhjet e Kuvendit Komunal. Ai tha se këtë e bën me qëllim që t’i lërë të lirë asamblistët të vendosin.

“Jo, nuk shkoj asnjëherë, i lë të lirë me vendos vetë. E kam nënkryetarin, nëse don me raportu, edhe ai duhet me bo diçka”, tha Berisha.

Asamblisti Durim Hajra nga Lëvizja Vetëvendosja ka thënë se nuk kanë  as video incizime nga mbledhjet e Asamblesë Komunale.

“Nuk ka video të seancave të Kuvendit, apo vendimet që dalin nga Kuvendi. Kur do të jetë transaprent para qytetarëve ky kryetar, ashtu edhe ne por edhe ekzekutivi”, tha Hajra.

Raporti i Auditorit për Komunën e Fushë Kosovës thotë se në vitin 2019 kishte shpenzuar vetëm 82% të buxhetit apo 11 milionë e 645 mijë euro nga gjithsej 14 milionë euro sa ishte buxheti final. Ndërsa, buxheti i paraparë për shpenzime kapitale është shpenzuar në nivel prej 67%, apo janë shpenzuar 4.5 milionë euro nga 6.8 milionë euro. Në anën tjetër, komuna e Fushë Kosovë kishte të hyra vetjake prej 2.6 milionë euro, aq sa i kishte planifikuar.

Sipas Auditorit nga 14 rekomandime që ka pranuar kjo komunë në vitin 2018, ka arritur t’i zbatoj 7 prej tyre.

Në raportin e Perfromancës të publikuar nga Ministria e Pushtetit Lokal, Fushë Kosova është renditur e dhjeta. Ky raport e ka vlerësuar mbi mesatare, me 50 për qind sa i përket planifikimit hapësinor këtë komunë. Mesatarja e nxjerrur për këtë fushë prej të gjitha komunave është rreth 45 për qind.

Fushë Kosova i ka zero pikë në publikimin e akteve të miratuara në Kuvendin Komunal, në faqën zyrtare të komunës, vetëm 20 pikë në transmetimin online të mbledhjeve të Kuvendit, një pikë e ka marrë në fushën e grumbullimit të mbeturinave për kokë banori në Fushë Kosovë, si dhe 4 pikë janë dhënë në punësimin e stafit me nevoja të veçanta.

https://video.gjirafa.com/jeta-ne-komune-burim-berisha-perballe-jeta-xharres-12-11-2020