Përballja e Bexhet Xheladinit me premtimet e tij të vitit 2021 për Dragashin
Në vitin 2021, Bexhet Xheladini i LDK-së i fitoi zgjedhjet për kryetar të Komunës së Dragashit pas balotazhit me kryetarin e atëhershëm Shaban Shabani.
Në debatin komunal të asaj kohe, Xheladini pati premtuar ujësjellës, trotuare, përfshirje të të gjitha fshatrave në sistemin e mbledhjes së mbeturinave, parqe.
Disa nga këto premtime Xheladini i ka mbajtur e disa të tjera jo.
Në emisionin “Jeta në Komunë”, Xheladini u përball me premtimet e tij si dhe me punën në terren të KALLXO.com për të parë se a i ka mbajtur premtimet ai.
Bexhet Xheladini më 2021 pati premtuar ujësjellësin për Dragashin me fshatra, projekt i cili thoshte se do të fillonte në fillim të mandatit.
Ky premtim ende nuk është përfunduar nga qeverisja komunale e Dragashit.
‘Kur e kam marr unë pushtetin, ju e dini që një vit më herët përgatitet buxheti. Unë kur kam premtuar që në vitin e parë do të filloj procesi, në buxhet i kam gjetë vetëm 5 mijë euro për ujësjellës ndërsa ujësjellësi kushton 3 milionë e gjysmë euro. Ma merr mendja që përfundon pa u shpallë zgjedhjet e vitit të ardhshëm’ – deklaroi Xheladini në “Jeta në Komunë”.
Në vitin 2021 ishte premtuar që të gjitha fshatrat e Dragashit do të përfshihen në sistemin e mbledhjes së mbeturinave.
Pjesë e këtij sistemi janë fshatrat me shumicë shqiptare kurse nga ato të Gorës janë vetëm dy fshatra.
‘Ka fshatra që nuk kanë pranu me qenë pjesë e mbledhjes së mbeturinave, i gjujnë mbeturinat ku mujnë. Në fshatrat me komunitete joshumicë kemi arritë që vetëm dy fshatra me i përfshi, Brodin dhe Restelicën. Tjerat nuk kemi mundur. Si fshat vetë nuk kanë pranu. Ne do t’i ndërtojmë dy deponi për mbetjet e ngurta’ – deklaroi Xheladini.
Premtim tjetër i kryetarit të Dragashit ishin edhe trotuaret në fshatin Plavë si dhe park në qendrën e fshatit. Trotuare nuk janë ndërtuar por qeverisja komunale ka përfunduar projektin e parkut.
‘Nuk kanë përfunduar për shkak se kanë dalë prona private dhe nuk është lejuar me u ba trotuari. E kemi ba edhe projektin por kur kemi deshtë me implementu, nuk është leju’ – tha kryetari i Dragashit.
Kryetari i Dragashit e ka mbajtur premtimin për ndërtimin e nga një parku për çdo vit të qeverisjes.
Në Dragash që nga fillimi i qeverisjes së Xheladinit janë ndërtuar 11 parqe.
Bexhet Xheladini në vitin 2021 pati premtuar që do të publikojë listën e uzurpatorëve sapo ajo të verifikohet.
Ky premtim nuk është mbajtur nga Xheladini. Ndonëse lista ekziston ajo nuk është publike.
‘Nuk është publike, nuk ka shumë uzurpatorë. Prej që kam ardhë si kryetar, nuk kemi lanë me uzurpu më’ – deklaroi Xheladini.