Përballja e Bashkim Ramosajt me premtimet e tij në ‘Jeta në Komunë’

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj kishte dhënë disa premtime gjatë fushatës zgjedhore në vitin 2021 për qytetarët.

Ai kishte thënë se do të publikonte listën e uzurpatorëve, do të ndërtonte dy çerdhe të reja publike, do t’i shkarkonte drejtorët të cilëve u ngritën aktakuza dhe kishte thënë që Deçani është qyteti më i pastër në Kosovë.

Krypometri gjeti që disa prej premtimeve të Ramosajt nuk ishin mbajtur.

Dy drejtorë të komunës kanë aktakuza por ata nuk janë shkarkuar.

“Dy drejtorë (kanë aktakuza). Për të dy drejtorët nuk ka vendim të prerë nga gjykata” – thuhej në një përgjigje të komunës kur u pyet për numrin e drejtorëve me aktakuza.

Përgjigje, komuna pati edhe për numrin e çerdheve publike. Sipas ekzekutivit lokal, një çerdhe publike-private është ndërtuar.

“Një çerdhe publiko-private është ndërtuar. Dy çerdhe janë aktive me 115 fëmijë. Një çerdhe është në proces të ndërtimit dhe ka përfunduar faza e parë, për dy çerdhe pritet që të hapet procesi i tenderimit deri në gjysmën e vitit të ardhshëm dhe 2 çerdhe do të jenë adaptim në shkolla ekzistuese” – thuhet në përgjigjen e Komunës së Deçanit.

Kryetari Ramosaj mbajti një premtim për bursat e studentëve. Ai pati premtuar në vitin 2021 nga 50 bursa çdo vit.

“Në vitin 2021 janë ndarë 66 bursa në vlerë prej 300 euro; Në vitin 2022 janë ndarë 89 bursa në vlerë prej 300 euro; Në vitin 2023 janë ndarë 151 bursa në vlerë prej 400 euro” – ka deklaruar komuna.