Përballja e Arian Tahirit me premtimet e Bedri Hamzës në "Jeta në Komunë"- VIDEO

Gjatë fushatës zgjedhore, kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, kishte bërë disa premtime për qytetarët. Më 18.11.2021, ai i kishte shpalosur ato në një intervistë për KALLXO.com.

Gjatë mandatit qeverisës, Hamza kishte premtuar ndërtimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF). Objekti i ri i QKMF-së në Mitrovicë të Jugut ka nis të ndërtohet më 19.08.2022, por ende nuk ka përfunduar.

Në një përgjigje për KALLXO.com, komuna ka deklaruar se funksionalizmi i QKMF-së do të ndodhë në fillim të vitit 2025.

Një projekt tjetër i premtuar i Hamzës gjatë zgjedhjeve ishte përfundimi i rrugës “Ali Zeneli” me gjithë infrastrukturën përcjellëse, si kanalizim, rrugë, ujësjellës dhe ndriçim publik.

Tre vjet pas, kjo rrugë ende nuk ka përfunduar dhe punimet në të janë duke vazhduar.

Tutje, i pari i Mitrovicës së Jugut kishte premtuar ri-rregullimin e sheshit qendror të qytetit. Sipas komunës, projekti ka nisur të trajtohet dhe disa nga investimet e parapara kanë ndodhur. Megjithatë, projekti ende nuk ka përfunduar në tërësi.

Një projekt tjetër i prezantuar në zgjedhje nga Bedri Hamza ishte ai për Stacionin e autobusëve. Kryetari i Mitrovicës së Jugut premtonte që ta dislokonte stacionin nga lokacioni aktual tek stacioni hekurudhor. Por, në tre vet qeverisje, ky projekt ende nuk ka nisur.

Bedri Hamza pati premtuar ujësjellës për fshatrat Vllahi, Melenicë dhe Zabërgjë, por as ky premtim nuk është mbajtur në tre vite qeverisje.

Në një përgjigje për KALLXO.com, komuna ka thënë se ka përfunduar projektin teknik për sistemin e ujësjellësit dhe është bërë planifikimi në buxhetin 2024-2027.