Për vrasjen e 25 vjeçarit në Deçan bërë 32 vite më parë, i akuzuari dënohet me 11 vjet burg

Gjykata e Pejës e ka gjetur fajtor Hasan Zenelajn për vrasjen e bërë para 32 viteve në Deçan, ku nga plagët e marra kishte humbur jetën i ndjeri Zekë Ukaj.

Zenelajt iu shqiptua dënimi me 11 vjet burgim.

Prokuroria akuzon Hasan Zenelajn se në bashkëveprim më vëllanë e tij, tani të ndjerin Selim Zenelaj, kishin vrarë Zekë Ukajn.

Sipas aktakuzës, Hasan Zenelaj në marrëveshje vëllanë Selim Zenelaj, nga hakmarrja e paskrupullt, e kishin vrarë 25-vjeçarin Zekë Ukaj.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pas rrahjes që kishte ndodhur më 12 qershor të vitit 1989, mes të akuzuarit dhe Hakiut vëllait të të ndjerit, Zenelajt e kishin përcjellë Zekë Ukajn, dhe pasi i ishin afruar nga prapa, i akuzuari Selim Zenelaj e kishte kapur për qafe me dorën e majtë, kurse me dorën e djathtë e kishte goditur me thikë në gjoks.

Dosja e Prokurorisë pretendon se i ndjeri në mbrojte e sipër së bashku me të dënuarin Selim Zenelaj kishin rënë në kanal të ujit, e aty kishte zbritur tani i akuzuari Hasan Zenelaj.

Aktakuza thotë se derisa ish i dënuari Selim Zenelaj e mbante tani të ndjerin Ukaj, i akuzuari e kishte goditur me thikë 16 herë në shpinë dhe pjesë tjera të trupit.

Hasan Zenelaj ishte dënuar me 11 vite burgim për këtë vrasje, por Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim.