Foto: RTV21

Për tri vjet dy mbledhje të përbashkëta qeveritare Kosovë- Maqedoni e Veriut, priten marrëveshje të reja bilaterale

Dy kabinetet qeveritare të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, në krye me Albin Kurtin dhe Hristijan Mickoskin, pritet që sot, më 18.11.2024, të nënshkruajnë marrëveshje bilaterale mes dy vendeve.

Në këtë mbledhje ndërqeveritare pritet të nënshkruhen marrëveshje të ndryshme mes ministrive, dy prej të cilave janë miratuar në Qeverinë e Kosovës.

E para ka të bëjë me lidhjen e protokollit për pika të përbashkëta të kalimit kufitar me Maqedoninë e Veriut si dhe lidhjen e memorandumit mes dy vendeve në sektorin e energjisë.

Bëhet fjalë për pikat e përbashkëta të kalimit kufitar Hani i Elezit – Bllacë dhe Glloboqicë – Jazhincë.

Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me lidhjen e një memorandumi për energjinë, politikat dhe strategjitë mes dy vendeve në këtë fushë.

Për këtë të dytën pritet lidhje e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në Sektorin e Energjisë në përputhje me politikat dhe strategjitë e tyre.

Ky është takimi i dytë mes dy qeverive në tri vitet e fundit, ndonëse kësaj radhe në krye të Maqedonisë së Veriut është kryeministri i ri.

Herën e fundit që dy qeveritë kanë mbajtur mbledhje ishte më 16 shtator 2021 – atëkohë në Maqedoni të Veriut kryeministër ishte Zoran Zaev.

Në atë mbledhje ishin nënshkruar disa memorandume bashkëpunimi dhe marrëveshje.

Edhe pse kanë kaluar tri vite, ende të gjitha marrëveshjet e mbledhjes së kaluar nuk janë zbatuar në plotni.

Atëkohë kryeministrat e të dy qeverive dhe ministrat dikasterial i nënshkruan një sërë memorandumesh dhe marrëveshjes në fusha të ndryshme që nga infrastruktura e deri te ato në fushën e inovacionit.

Herën e kaluar ishin nënshkruar Memorandumet e Mirëkuptimit për përcaktimin e fushëveprimit të përgjithshëm të bashkëpunimit lidhur me studimin e fizibilitetit për rrugën Prizren – Tetovë dhe për rehabilitimin e “zonës tampon- Bllacë”, mes dy objekteve kufitare të të dyja vendeve. Marrëveshje ishte nënshkruar edhe bashkëpunim në fushën e diasporës.

Marrëveshje tjera të nënshkruara ishin: për Statusin e Forcave të Sigurisë së Republikës së Kosovës dhe Pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Maqedonisë së Veriut (SOFA), Protokolli për Zbatimin e Marrëveshjes për realizimin e Marrëveshjes mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për rregullim kufitar të komunikacionit hekurudhor, Memorandumi për Bashkëpunim në Sektorin Energjetik, Marrëveshja për Bashkëpunim në fushën e turizmit, Memorandumi për Bashkëpunim në fushën e inovacioneve dhe zhvillimit teknologjik dhe sipërmarrësish.

Përveç këtyre pati edhe marrëveshje dhe memorandume tjera, përfshirë atë për Bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave të Republikës së Maqedonisë së Veriut.