Foto: Ilustrim

Për tri vite u prezantua si zyrtar i autorizuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, arrestohet i dyshuari

Prokuroria e Prishtinës ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë ka arrestuar një person nën dyshimin se ka kryer veprat penale: falsifikimi i dokumenteve; mashtrim dhe prezantim i rremë si person zyrtar.

Personi i arrestuar, Sh.M. dyshohet se me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme ka paraqitur dokumente të rrejshme dhe ka përdorur nënshkrimin e personit zyrtar të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Ai është paraqitur kinse si person zyrtar i autorizuar nga kjo Agjenci dhe sipas njoftimit nga viti 2019 e deri në vitin 2022, ka bërë shitjen e aseteve që ndodhen në Bosnje e Hercegovinë dhe në Malin e Zi.

“I dyshuari ndodhet nën masën e ndalimit prej 48 orësh, derisa ndaj të njëjtit prokurori i çështjes do t’i ndërmarr veprimet e mëtejme ligjore” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Në këtë çështje penale me urdhër të prokurorit është sekuestruar një veturë, një telefon, para në vlerë prej 900 euro dhe prova të tjera të cilat do të shërbejnë në procedurë.

Gjithashtu është treguar se Prokuroria në koordinim të plotë me institucionet e tjera relevante janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të kësaj çështjeje penale.