Pika kufitare në Bërnjak. Foto: KALLXO.com

Për tri ditë dëmtohet dy herë kablloja optike e Policisë së Kosovës në Zubin Potok

Kabllot optike të Policisë së Kosovës kanë qenë cak i dëmtimit nga persona të panjohur në këto tri ditët e fundit.

Raporti 24-orësh i Policisë më 1 tetor dhe ai i ditës së sotme ka njoftuar se në dy raste të ndara në Zubin Potok është dëmtuar kablloja optike, që është pronë e Policisë.

Rasti i parë është raportuar të ketë ndodhur në fshatin Uglar të Zubin Potokut, më 30 shtator 2022, rreth orës 02:00 të mesnatës.

“Është raportuar se nga persona të panjohur kanë dëmtuar një kabllo optike, pronë e Policisë së Kosovës” – ishte theksuar në raportin policor.

Tutje ishte treguar se njësiti policor ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka kryer hetime.

Një rast i njëjtë ka ndodhur edhe në mes datës 1 dhe 2 tetor 2022. Kësaj radhe është dëmtuar kablloja optike në Gazivodë.

Kablloja, tashmë e dëmtuar është e vendosur rrugës për në pikën e kalimit kufitare në Bërnjak.

Edhe për këtë rast është thënë se është njoftuar prokurori i rastit.