Për tre muajt prill-qershor, u rrit shitja dhe punësimi në tregti e shërbime

Volumi i shitjeve në tregti e shërbime, shënoi rritje në tremujorin e dytë të sivjetmë në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2020. Së bashku me shitjet, rritje pati edhe në punësim.

Indekset e treguesve për tregti, në tre muajt prill-qershor të sivjetmë, bën të ditur se Indeksi i shitjeve neto në volum pati rritje për 48.43 për qind, kurse Indeksi i numrit të punësuarve pati rritje për 14.88 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të dhënat thonë se u rrit shitja në transport, magazinim e postë.

“Indekset e treguesve për Transport, Magazinim dhe Postë, në TM2 2021, ishin: Indeksi i shitjeve neto në volum shënoi rritje për 105.48%, kurse Indeksi i numrit të të punësuarve shënoi rritje për 55.10%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë (TM2 2020)”, thotë Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Më tej përmenden edhe Indekset e treguesve për bar-restorante, ku sipas ASK-së, në tremujorin e dytë 2021, Indeksi i shitjeve neto në volum shënoi rritje për 204.11 për qind, kurse Indeksi i numrit të të punësuarve shënoi rritje për 34.12 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020.

Gjithashtu edhe Indekset e treguesve për Informacion dhe Komunikacion në periudhën e dytë tremujore të 2021-ës, shitja neto në volum shënoi rritje për 41.88 për qind, kurse Indeksi i numrit të të punësuarve pati rritje për 48.46 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Këto të dhëna, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura me publikimin e raport-statistikave “Statistikat Afatshkurtra të Shërbimeve, për tre mujorin e dytë (TM2) 2021”.