Monedha euro - Foto: REL/AP

Për tre muaj u regjistruan mbi 2 mijë e 300 biznese

Në tremujorin korrik-shtator u regjistruan mbi 2 mijë e 300 biznese.

Pjesa më e madhe e tyre u regjistruan të merren me tregti, riparime dhe që punësojnë së paku 5 deri në 9 punonjës.

Nga statistikat, Prishtina prin për numrin më të madh të bizneseve të regjistruara.

Regjistrimi i bizneseve në Kosovë pësoi një rënie prej 10 për qind në raport me tremujorin paraprak përderisa ka rritje në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Në tremujorin e tretë të vitit 2019 (TM3 2019) gjithsej janë regjistruar 2 379 ndërmarrje, ku krahasuar me tremujorin paraprak (TM2 2019) ka një rënie për (-10.4%) të ndërmarrjeve të regjistruara. Ndërsa, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM3 2018) ka një rritje për 6.29% të ndërmarrjeve të regjistruara.”, thuhet në komunikatën e ASK-së

Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: tregtia me shumicë dhe pakicë, riparimi i mjeteve motorike, dhe motoçikletave me 572 ndërmarrje të regjistruara, ose 24.04 për qind; prodhimi me 294 ndërmarrje të regjistruar 12.35 për qind; akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 275 ndërmarrje të regjistruara 11.55 për qind;  ndërtimtaria me 245 ndërmarrje të regjistruara 10.29 për qind; aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 197 ndërmarrje të regjistruara 8.28 për qind, etj.

Pjesa dërmuese e ndërmarrjeve të regjistruara punësojnë nga 5 deri në 9 punonjës

“Ndërkaq, për sa u përket ndërmarrjeve me numrin e të punësuarve, në kategorinë me 1 deri në 4 të punësuar janë gjithsej 2 287 ndërmarrje të regjistruara (96.1 %); me 5 deri 9 të punësuar janë 51 ndërmarrje të regjistruara (2.1%); 10 deri në 19 të punësuar janë 26 ndërmarrje të regjistruar (1.1%); me 20 deri 249 të punësuar janë 14 ndërmarrje të regjistruara (0.6%); dhe në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar është një (1) ndërmarrje të regjistruar gjatë këtij tremujori.”, bën të ditur komunikata.

Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor, mbizotëron Komuna e Prishtinës me 740 ndërmarrje të regjistruara 29.3 për qind; Ferizaj me 177 ndërmarrje të regjistruara 7.4 për qind; Prizreni me 175 ndërmarrje të regjistruara 7.4 për qind; Gjilani me 156 ndërmarrje të regjistruara dhe Peja me 127 ndërmarrje të regjistruara 5.3 për qind, secila prej tyre; dhe Mitrovica me 122 ndërmarrje të regjistruara 5.1 për qind; ndërsa komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor.

Këto të dhëna u bën të ditura nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) me publikimin e raportit “Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë për TM3 2019”.