Ilustrim

Për tre muaj, rreth 8 % pati rënie çmimesh në produktet bujqësore

Të dhënat e fundit të publikuara nga ASK, tregojnë se në tre muaj prill-qershor, çmimet e prodhimeve bimore dhe blegtorale pësuan rënie

“Në tremujorin e dytë të vitit 2021, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale pati rënie për (-8.64%), kurse indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore pati rënie për (-5.86%). krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020 ”, njofton ASK.

Ndërkaq, Indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore pati rënie për-7.80 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit  2020.

ASK tregon se prodhimet, të cilat krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale. Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë. Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale.

Tutje, në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë.

Këto të dhëna, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK),i bëri të ditura me publikimin e raportit, “Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi“ për tremujorin e dytë 2021.

Për përpilimin e këtij indekti, ASK u bazua në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë. Grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, ferma dhe vendet të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen.