Burimi: www.pixabay.com

Burimi: www.pixabay.com

Për tre muaj, rreth 10% më shumë biznese të regjistruara në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar

Numri i bizneseve të regjistruara në Kosovë në tremujorin e tretë të këtij viti ka shënuar rënie në krahasim me tremujorin e dytë por ka shënuar rritje në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në tremujorin e tretë të këtij viti janë regjistruar 2,722 ndërmarrje, ku krahasuar me tremujorin paraprak ka një rënie për 4.0% të ndërmarrjeve të regjistruara. Ndërsa, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit 2021 ka një rritje për 9.8% të ndërmarrjeve të regjistruara.

Sipas ASK-së, aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: tregtia me shumicë dhe pakicë; riparim i mjeteve motorike, motoçikletave me 543 ndërmarrje të regjistruara 19.9 për qind; prodhimi me 345 ndërmarrje të regjistruara 12.7 për qind; ndërtimtaria me 306 ndërmarrje të regjistruara 11.2 për qind; aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 281 ndërmarrje të regjistruara 10.3 për qind; akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 276 ndërmarrje të regjistruara 10.1 për qind, etj.

Raporti i ASK-së tregon se bizneset e regjistruara i përkasin kryesisht kategorisë që punësojnë deri 4 punonjës.

“Ndërkaq, sipas kategorisë së të punësuarve në ndërmarrjet e regjistruara në këtë tremujor, del se: me 1 deri në 4 të punësuar janë gjithsej 2,650 ndërmarrje të regjistruara (97.4%); me 5 deri 9 të punësuar janë 60 sosh (2.2%); me 10 deri në 19 të punësuar 10 ndërmarrje të regjistruara (0.4%); me 20 deri 249 të punësuar ishin 2 ndërmarrje të regjistruara (0.1%); ndërsa në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar nuk ka asnjë ndërmarrje të regjistruar në këtë tremujor” – bën të ditur raporti.

Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor, mbizotëron Komuna e Prishtinës me 824 ndërmarrje të regjistruara apo 30.3 për qind; Prizreni me 223 ndërmarrje të regjistruara apo 8.2 për qind; Ferizaj me 217 ndërmarrje të regjistruara apo 8.0 për qind; Gjilani me 148 ndërmarrje të regjistruara apo 5.4 për qind; Peja me 130 ndërmarrje të regjistruara apo 4.8 për qind; dhe Gjakova me 126 ndërmarrje të regjistruara apo 4.6 për qind.

Ndërsa, komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor.

Këto të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), i bëri të ditura me publikimin e raportit statistikor mbi ndërmarrjet ekonomike në Kosovë për tremujorin e tretë (TM3) 2022.