Foto: Ilustrim

Për tre muaj çmimet e prodhimeve të blegtorisë rriten për 4 për qind

Në tremujorin korrik-shtator të sivjetmë, në bazë të dhënave të mbledhura në treg e ferma sipas çmimeve në Kosovë, çmimet e prodhimeve blegtorale u rritën rreth 4 për qind.

“Në tremujorin e tretë të vitit 2019, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 3.95%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018. Kurse, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rënie për (- 2.15%).” , bën të ditur ASK.

Ndërkaq, Indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për 0.28 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018.

Sipas ASK-së, ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë.

Grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, ferma dhe vende të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen.

Më tej ASK sqaron se kush bëjnë pjesë në grupet kryesore që e përbëjnë këtë indeks

“Prodhimet, që krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale. Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë. Në prodhimet blegtorale, çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula”, sqaron ASK.

“Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë.”, thuhet tutje.

Këto të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura përmes publikimit të raportit “Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi“ për tremujorin e tretë.