Për t'i kujtuar të rënët në luftë, sot u vu gurthemeli i Muzeut në Krushë të Madhe

Muzeut në kujtim të të rënëve gjatë luftës së fundit në Krushë të Madhe sot i është vënë gurthemeli.

Sipas kryetarit të komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ndërtimi i këtij muzeu është obligimi i shtetit të Kosovës ndaj të rënëve dhe të gjallëve të Krushës, e cila paraqet sinonimin e dhimbjes, rezistencës dhe heroizmit.

Projekti do të realizohet në bashkëfinancim ndërmjet Komunës së Rahovecit dhe Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale.

“Në festën e 28 Nëntorit- Ditën e Flamurit në Krushë të Madhe nis ndërtimi i Muzeut. Për të pasur ende në kujtesën e gjeneratave të reja, atë që ka ndodhur para 20 vjetësh, sot me bashkëpunëtorë, veteranët të UÇK-së, dhe bashkëqytetarë kemi vënë gurthemelin për ndërtimin e projektit: “Ndërtimi i Muzeut në Krushë të Madhe”. Me këtë rast falënderoj drejtorin e AMKM-së, z.Bislim Zogaj për mbështetjen edhe në këtë projekt dhe në projekte të tjera që i shërbejnë ruajtjes së kujtesës sonë kolektive!”, ka shkruar Latifi.