Për të katërtën herë radhazi kërkohet përsëritja e procesit për përzgjedhjen e komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi

Mospajtime e shumë zhurmë ka shkaktuar përsëri procesi për përzgjedhjen e komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Kjo është hera e katërt e përsëritjes së këtij konkursi, kjo për shkak se tre herët e tjera për shkak të parregullsive të konstatuara në konkurs, procesi ishte kthyer në pikën zero.

Kthimin e konkursit për të katërtën herë në pikën zero kësaj radhe po e kërkon opozita.

Qysh prej shpalljes së konkursit e menjëherë pas shqyrtimit të aplikacioneve të kandidatëve, në fazën e intervistimit të kandidatëve, Komisioni për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes nuk kishte arritur në konsensus sa i përket formimit të panelit intervistues për procesin e rekrutimit për këtë pozitë.

Mosmarrëveshja kishte ardhur për shkak të kërkesës së anëtarëve të Komisionit nga radhët e partisë Vetëvendosje, të cilët kanë kërkuar që të gjithë anëtarët e këtij Komisioni të përfshihen në panelin vlerësues, ndërsa kërkesa e anëtarëve të tjerë të Komisionit nga radhët e partive të tjera të opozitës ka qenë që të shkohet me nga një përfaqësues nga secila parti, siç kanë thënë që ka ndodhur herëve të tjera.

Pas shumë e shumë diskutimesh, pasi që mospajtimet nuk kishin arritur të evitoheshin, opozita e përbërë nga deputetët nga radhët e LDK-së, PDK-së dhe AAK-së në shenjë revolte e kishin bojkotuar pjesëmarrjen në panelin vlerësues për këtë proces të rekrutimit.

Mirëpo përkundër këtij fakti, anëtarët e Komisionit nga radhët e partive në pozitë – Lëvizja Vetëvendosje, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës (LPRK) dhe Lista Serbe, kanë vazhduar më tej me procesin e intervistimit të kandidatëve.

Përkundër reagimeve e kërkesës së opozitës dhe të disa organizatave të shoqërisë civile që ky proces të kthehet prapa, të njëjtit nuk janë zmbrapsur por raportin me emrat e kandidatëve të rekomanduar për t’u përzgjedhur si komisioner i Agjencisë për Informim dhe Privatësi janë miratuar për t’u dërguar për votim në Kuvend.

Enver Bujari, Krenare Sogojeva Dërmaku dhe Edon Myftari janë emrat e kandidatëve të cilët do të dërgohen për votim në seancën e radhës të Kuvendit dhe njëri prej tyre pas votimit pritet të udhëheq me Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

Mbledhja e sotme e Komisionit ishte thirrur nga kryesuesi i këtij Komisioni, Bekë Berisha, i cili gjatë mbledhjes, tek pika e diskutimit për çështjen e emërimit të komisionerit për Informim dhe Privatësi, u shpreh shumë i revoltuar me punën e deputetëve të pozitës dhe pas lëshimit të sallës nga deputetët e PDK-së dhe LDK-së edhe vetë kryesuesi e lëshoi mbledhjen. Madje Berisha e shpalli të përfunduar mbledhjen, mirëpo përkundër kësaj deputetët nga radhët e pozitës e vazhduan mbledhjen me arsyetimin se të njëjtit kishin kuorum për të vazhduar.

I pari që e lëshoi mbledhjen ishte deputeti nga radhët e PDK-së, Elmi Reçica.

Reçica tha se qëndrojnë prapa vendimit për tërheqje dhe mospërkrahje të këtij procesi të cilin e quajti të komprometuar.

“Ne si grup parlamentar nuk jemi të interesuar të jemi në një takim të tillë dhe ta dëgjojmë raportin prandaj e vetmja zgjidhje që ka mbetë tash është që procesi të kthehet në pikënisje. Ne po tërhiqemi, ju vazhdoni dhe po besoj që do të jetë një mësim i mirë që dallon shumë puna në komisione dhe në grupe parlamentare. Ju e keni thy atë rregull dhe nuk pranoj që të jemi as pjesë me prezencën fizike që i prish ato që janë ndërtuar për së mbari”, tha Reçica.

Edhe deputeti nga radhët e LDK-së, Anton Çuni, e lëshoi mbledhjen me arsyetimin se për shkak se që nga fillimi e kanë kundërshtuar një zhvillim të tillë të procesit, qëndrimin në mbledhje gjatë diskutimit të këtij raporti e konsideroi të panevojshëm.

“Kemi të bëjmë për një çështje për te cilën që nga fillimi kemi qëndrime të ndara dhe si rezultat i kësaj natyrisht kemi paqëndrueshmëri. Vetë fakti që në fillim janë ndryshuar rregullat bazë që deri më tani kanë garantuar një baraspeshë të partive politike, tani kur ky proces që në fillim është konsideruar si i tillë unë nuk e shoh që kam ndonjë detyrim që të qëndroj në dëgjimin e  raportit”, tha Çuni.

Ndërsa deputeti nga radhët e AAK-së, Bekë Berisha, votimin me pikë maksimale të kandidatit Enver Bujari, e quajti veprim të kapjes së shtetit. Sipas Berishës njerëz të tillë nuk do duhej të zgjidheshin as si roje sigurimi.

“Ju e keni ndërruar praktikën me s’jemi pajtuar, pastaj e keni mbajtur në mënyrë të pavarur keni vendosur vetë dhe qysh këtu e keni përcaktuar fituesin, është votuar Enver Bujari me pikë maksimale, i njëjti njeri që unë e kam votuar me njësha dhe dysha, unë uroj që ky njeri kurrë të mos zgjidhet kurrgjë hiç. Këtu shihet qëllimi juaj të jeni në këtë panel. Për që vjen Enver Bujari e notohet me 10-she prej juve, por uroj që kësi njerëzve kurrë të mos zgjedhën as rojtar e le mo udhëheqës të institucioneve. Këtu ka të bëjë pikërisht me kapje të shtetit. Këto e keni mbërri, veç vazhdoni, unë këtë mbledhje e mbyll këtu”, tha Berisha.

Pas lëshimit të mbledhjes nga kryesuesi, mbledhjen e udhëhoqi nënkryetari Enver Dugolli.

“Sinqerisht ju them se ne ligjërisht jemi të obliguar që procesin ta shtyjmë përpara, nuk ka asnjë mundësi ligjore ta ndërpresim këtë proces”, tha Dugolli.

Pas lëshimit të mbledhjes nga ana e deputetëve nga radhët e opozitës, deputetët nga pozita në përbërje: Enver Dugolli, Erxhan Galushi, Arbër Rexhaj, Fatmir Humolli, Shqipe Selimi dhe Mefail Bajqinovci e miratuan raportin e panelit vlerësues për procesin e rekrutimit për përzgjedhjen e komisionerit për Informim dhe Privatësi dhe në seancën e radhës të Kuvendit pritet që deputetët e Kuvendit të votojnë për përzgjedhjen e komisionerit.

Kujtojmë se deri më tani tre herë me radhë ka dështuar votimi i kandidatëve të përzgjedhur nga Komisioni për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes për komisioner të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Kuvendi i Kosovës tri herë radhazi nuk kishte arritur të emërojë komisionerin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Në seancën e datës 14 gusht, as pas dy rundesh votimi Kuvendi nuk arriti të emërojë komisionerin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Ky konkurs ishte anuluar tri herë.

Fillimisht ky konkurs kishte dështuar herën e parë në maj të vitit 2019 e më pas edhe në tentativën e dytë në korrik të vitit 2019.

Rreth përzgjedhjes së komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi kishte pasur shumë reagime në publik.

Lidhur me këtë konkurs kishin reaguar edhe disa organizata të shoqërisë civile të cilat në maj të vitit të kaluar i kishin kërkuar komisionit anulimin e konkursit nën dyshimet se disa nga kandidatët që kishin aplikuar kanë lidhje politike. Sipas tyre emërimi i ndonjërit prej tyre do të mund të rrezikonte fondet e Bashkimit Evropian të dedikuara për Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

Përpos organizatave të shoqërisë civile edhe Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Ambasada britanike kishin dhënë rekomandim për anulimin e këtij procesi.

Por ndonëse herën e parë Ambasada britanike vetë kishte dhënë rekomandimin për anulimin e këtij procesi me arsyetimin se sipas tyre asnjë nga kandidatët nuk kishte qenë i emërueshëm, për herën e tretë, ekspertët britanikë të BDO-së kanë dhënë rekomandimin për emërimin e dy kandidatëve.

Por edhe përkundër rekomandimeve të Ambasadës britanike, Kuvendi i Kosovës edhe për të tretën herë radhazi kishte dështuar në përzgjedhjen e komisionerit për Informim dhe Privatësi.

Dështimi i konkursit për të tretën herë radhazi bëri që Ambasada britanike të reagojë dhe të shprehë zhgënjim për dështimin e konkursit.

Madje me këtë rast, Ambasada britanike kishte njoftuar se ekspertët britanikë të BDO-së janë tërhequr nga procesi i rekrutimit për këtë pozitë.

Ambasada në reagim kishte thënë se nuk do t’i çojnë poshtë paratë e tatimpaguesve britanikë në proceset e përsëritura që ishin transparente dhe të zhvilluara me rregull, dhe që nxorën kandidatë që i plotësojnë kushtet për emërim.

Vlen të theksohet se kandidati për komisioner të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Enver Bujari, i cili kësaj radhe ka marrë pikët maksimale nga komisioni vlerësues, herët e kaluara kur në këtë proces ishin të përfshirë edhe përfaqësuesit nga Ambasada britanike, ai ishte konsideruar i paemërueshëm nga përfaqësuesit e Ambasadës.

Kundërshtime rreth mënyrës së rrjedhës së këtij procesi kanë pasur edhe një grup i organizatave të shoqërisë civile, të cilat procesin e kanë quajtur jotransparent dhe jolegjitim, duke kërkuar që si rezultat i parregullsive, procesi për të katërtën herë radhazi të kthehet në pikën zero.

KALLXO.com e ka transmetuar LIVE mbeldhjen e Komisionit për Çështjet të Sigurisë dhe Mbrojtjes.