Për të katërtën herë, hapet konkursi për Komisioner të Agjencisë për Informim dhe Privatësi

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes në Kuvendin e Kosovës në mbledhjen sotme, ka vendosur për hapjen e konkursit për Komisioneri të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Kryetari i këtij komisioni, Bekë Berisha ka thënë që për Komisionerin për Informim dhe Privatësi ka pasur edhe konkurse të tjera por që kanë dështuar.

“Për shkak të dështimeve, ka pasur një ide që të ndryshohet neni i ligjit për të ulur pragun e votave të deputetëve. Komisioni ka marrë një nismë legjislative, por ajo është kundërshtuar nga zyra e BE-së dhe shoqëria civile”, tha Berisha.

Megjithatë, ai shtoi se përkundër përpjekjeve të dështuara të deritashme, janë të detyruar të veprojnë.

“Ligji është në fuqi dhe na obligon hapjen e konkursit”, shtoi ai.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Enver Dugolli, tha se nuk duhet humbur kohë dhe duhet të procedohet me hapjen konkursit.

“Është urgjente që të zgjidhet Komisioneri për Privatësi, kështu që jam pro që të procedohet me shpalljen e konkursit”.

Edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica ishte pro që të shpallet konkursi dhe tha se vonesat në këtë proces do të ishin të dëmshme.

“Është e domosdoshme që të procedohet me konkursin, dhe komisioneri të zgjidhet sa më shpejtë, sepse ka pësuar vendi, agjencia dhe kemi pësuar të gjithë”, tha ai.

Konkursi për emërimin e Komisionerit për Informim dhe Privatësi ka dështuar 3 herë radhazi.

Madje, Ambasada Britanike ka njoftuar se ekspertët britanik të BDO-së janë tërhequr nga procesi i rekrutimit për këtë pozitë.

Ambasada në reagim kishte thënë se nuk do t’i çojnë dëm paratë e tatimpaguesve britanikë në proceset e përsëritura që ishin transparente dhe të zhvilluara me rregull, dhe që nxorën kandidatë që i plotësojnë kushtet për emërim, por që edhe u dështuan.

“Mos emërimi i asnjërit prej tyre, vë në dyshim zotimin e deklaruar të partive politike për të zbatuar Memorandumin e Mirëkuptimit me Ambasadën Britanike, por ç‘është më e rëndësishmja, dërgon sinjal negativ për profesionistët e pavarur në Kosovë dhe shpresat e tyre për të kontribuar në Institucionet e Kosovës. Çdo emërim publik do të duhej të marr parasysh vetëm interesat e vendit dhe të qytetarëve të tij dhe jo interesin e ngushtë partiak”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Ky proces i rekrutimit në të tri herët është zhvilluar nën mbështetjen e Ambasadës Britanike si dhe nën monitorimin e organizatës BIRN e disa organizatave të tjera.

Si dështoi për të tretën herë radhazi konkursi për emërimin e Komisionerit për Informim dhe Privatësi