Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Për shtatë ditë në Ferizaj u shqiptuan 740 tiketa për mosrespektim të masave kundër COVID-19

Policia e Rajonit të Ferizajt ka njoftuar se në një periudhë nga 30 nëntori deri më 6 dhjetor janë shqiptuar gjithsej 740 tiketa ndaj personave të cilët nuk kanë respektuar masat kundër pandemisë COVID-19.

“Apelojmë tek qytetarët që ti respektojnë masat e parapara ligjore me qëllim të ruajtjes së shëndetit të tyre dhe familjarëve të tyre. Policia e Kosovës do të vazhdoj me përmbushjen e detyrave të saj dhe në çdo kohë dhe çdo vend ku do të hasen personat të cilët nuk i respektojnë masat, ndaj tyre do të veprohet sipas ligjit në fuqi”, thuhet në njoftimin e Policisë së Rajonit të Ferizajt.

Policia gjithashtu ka njoftuar se bazuar në vendimet e qeverisë për respektimin e masave mbrojtëse për COVID-19, policia në bashkëpunim me inspektorët komunal janë angazhuar që të monitorojnë dhe vëzhgojnë lokacionet të cilat frekuentohen nga qytetarët në mënyrë që të shikohet dhe të gjobiten ata që nuk i respektojnë masat për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19.