SHFMU "Dy Dëshmorët" në Talinoc të Muhaxhirëve. FOTO: Facebook.

Për shkak të të ftohtit dhe problemeve me rrymë, në shkollën në Talinoc të Muhaxherëve mësimi mbahet me orar të shkurtuar

Shkolla fillore “Dy Dëshmorët” në fshatin Talinoc i Muhaxherëve në komunën e Ferizajit dje i ka mbajtur të shkurtuara orët mësimore për shkak të të ftohtit në objektin e këtij institucioni arsimor.

Shqipe Zeqiri, drejtoreshë në këtë shkollë, ka thënë se kjo gjë ka ndodhur për shkak të një problemi me rrymë që ka qenë në një pjesë të këtij fshati.

Prej mbrëmë një pjesë e fshatit Talinoc nuk ka pasur rrymë, me atë trafo ka qenë e lidhur edhe shkolla. Tani ka ardhur KEDS-i në ora 11:00 dhe pas një orë e gjysmë është stabilizuar” – ka thënë të martën drejtoresha.

Mirëpo, ajo ka sqaruar se ndezja e kaldasë nuk ka mundur të bëhet të hënën në mbrëmje për shkak të problemeve me rrymë që i ka pasur kjo pjesë e fshatit.

“Ditëve të pushimeve në mbrëmje e ndezin nxemjen, mirëpo për shkak që nuk ka pasur dje rrymë prej orës 8:00 në mbrëmje, nuk kanë mundur të shkojnë ta ndezin kaldanë, edhe nëse ish ndezë unë do të isha frikësuar që ndodh diçka sepse agregati asnjë orë nuk është në gjendje ta çojë kaldanë sepse kaldaja është e madhe”- ka thënë Zeqiri.

Sipas drejtoreshës së kësaj shkolle, mësimi gjatë ditës së martë sotme nuk është ndërprerë, por në mënyrë që nxënësit të mos shkojnë në shtëpi është shkurtuar orari ku orët janë mbajtur nga 20-25 minuta për dallim prej ditëve të tjera kur ato mbahen 30 minuta për shkak se kjo shkollë aktualisht punon me tri ndërrime.

“Mësimi në asnjë moment nuk është ndërprerë, vetëm është mbajtur me orar më të shkurtër se ditëve të tjera. Ne edhe ashtu si shkollë punojmë me tri ndërrime sepse shkolla është shumë e vogël dhe numri i nxënësve është rritur, që të mund të punojmë me tri ndërrime ne orarin e mësimit e kemi me 30 minuta deri sa të sistemohemi në shkollën e re” – shtoi ajo.

Sipas Zeqirit, prindërit janë njoftuar për këtë situatë që nga mëngjesi.

“Prej mëngjesit i kemi njoftuar prindërit dhe prindërit kanë qenë të njoftuar se rrymë as në shtëpitë e tyre nuk kanë pasur. Aty problemi ka qenë (që) trafoja është e ngarkuar dhe vazhdimisht një erë e vogël me fry atje merr kontakt rryma. Kërkesën fshati e ka bërë edhe më herët te KEDS-i dhe sot erdhën e evidentuan atë problem, neve na ka shkaktuar problem edhe më herët, nuk është vetëm rasti i sotëm” – ka thënë ajo.

Zeqiri ka potencuar edhe një problem tjetër me të cilin përballet kjo shkollë.

“Ne i kemi njoftuar prindërit që t’i sjellin ndërrimin e tretë pak më herët për shkak se shkolla ka edhe një problem, është aq e errët saqë edhe rrymë kur ka ne tërë dimrit duhet me qenë më rrymë nëpër klasë sepse edhe shkolla e re që është duke u ndërtuar e ka zënë pjesën e shkollës dhe errësohet” – ka shtuar drejtoresha.

Se ka pasur problem me rrymë në këtë fshat e ka pohuar edhe Viktor Buzhala, zëdhënësi i Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS).

“Është djegë një kabllo. Ne kemi intervenuar në kohën më të shkurtër të mundshme dhe e kemi rregulluar” – është përgjigjur Buzhala për KALLXO.com.

Drejtoresha e kësaj shkolle, Shqipe Zeqiri, ka bërë të ditur se në këtë shkollë vijojnë mësimin 340 nxënës dhe shkolla ka tri vite që punon me tri ndërrime.