Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Për shkak të mbingarkesës, Mjekimi Intensiv Qendror përdor edhe hapësirat e Klinikës Infektive
21 shtretërit në Mjekimin Intensiv Qendror në QKUK nuk i plotësojnë nevojat e kësaj klinike. Prandaj, për shkak të mbingarkesës dhe hapësirave të pamjaftueshme, kjo klinikë po e shfrytëzon një hapësirë të Klinikës Infektive, si zgjidhje të përkohshme.
Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (ShSKUK), Elvir Azizi, tha se kjo zgjidhje e përkohshme veçse e ka ulur paksa presionin në Mjekimin Intensiv Qendror.
“I kemi vendos disa raste më lehtë të menaxhueshme në Infektivë. Ka fillu me ra pak presioni në Mjekim Intensiv Qendror, sepse kemi pasë raste që kanë prit në emergjencë për me shku atje” – tha Azizi në mbledhjen e Bordit të ShSKUK-së, të mbajtur të mërkurën, më 30.10.2024.
Azizi tha për KALLXO.com se në Infektivë, aktualisht po përdoren 5 shtretër për mjekim intensiv. Ai shpjegoi se kjo hapësirë ka pasur infrastrukturën e gatshme për intensivë pasi që gjatë kohës së pandemisë Covid-19 është shfrytëzuar si intensivë për pacientët e infektuar.
Por, pas asaj periudhe, Azizi tha se i ka “humbur pakëz sensi” dhe nuk është shfrytëzuar “aq shumë” për shkak se nuk ka pasur staf mjaftueshëm të trajnuar për ta mirëmbajtur.
Sa i përket rrezikut të infeksioneve te pacientët intensivë por jo-infektivë, Elvir Azizi tha se trajtimi është shumë i sigurt.
“Shumë është e sigurt, për arsye se janë nda pacientët dhe më së miri e dinë mjekët se kë duhet me e vendos dhe ku. Pacientët infektivë dhe ata jo-infektivë nuk janë duke u përzier në një vend” – u përgjigj ai.
Për një zgjidhje përfundimtare, ai njoftoi në Bord se planifikojnë që kësaj klinike t’ia shtojnë disa hapësira nga klinika të tjera, të cilat janë liruar apo do të lirohen pas renovimeve të bëra.
Drejtori Azizi tha për KALLXO.com se numri i pamjaftueshëm i shtretërve në Mjekim Intensiv është problem i madh që ka ekzistuar tërë kohën, por s’është adresuar kurrë. Plani është që të shtohen së paku edhe 10 deri në 15 shtretër të tjerë.
I pyetur për afatin kohor kur parashihet të realizohet ky plan, ai tha “sa më shpejt që të jetë e mundur”.
“Tash gjatë renovimeve po na lirohen hapësirat. Për shembull Ortopedia (e vjetër) është e thatë dhe është duke u ly, duke u ndreq. Hala s’kemi vendos saktësisht, por ka mundësi që një pjesë ia japin Urologjisë, një pjesë dikujt tjetër dhe krijojmë hapësira brenda këtij objekti, që kishin mujt me u shfrytëzu për mjekimin intensiv qendror, si një shtesë” – shpjegoi më tej Azizi.
Në hapësirat që do t’i shtojnë, drejtori tha se planifikojnë ta ofrojnë shërbimin e gjysmë-intensivës, që aktualisht nuk ekziston në QKUK.
Kujdesi Intensiv ofron nivelin më të lartë të monitorimit dhe mbështetjes në jetë për pacientët me sëmundje kritike. Ndërsa, kujdesi gjysmë intensiv është për pacientët që janë të qëndrueshëm, por ende kanë nevojë për vëzhgim të afërt dhe mbështetje.
Gjatë këtij viti, në QKUK janë rinovuar objektet e disa klinikave dhe është përuruar objekti i ri i Ortopedisë, që ka lënë të lirë hapësirën që kjo klinikë shfrytëzonte në objektin e Kirurgjisë.