Për shkak të luftës në Ukrainë, UEFA ndryshon rregullat për garat evropiane

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-së ka marrë vendim që të ndryshojë rregulloren për garat evropiane në futboll për shkak të luftës që po zhvillohet në Ukrainë.

Lajmi është bërë i ditur përmes faqes zyrtare të UEFA-së.

“Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s vendosi sot të ndryshojë rregulloret e 2021/22 UEFA Champions League, 2021/22, UEFA Europa League dhe 2021/22, UEFA Europa Conference League dhe të lejojë klubet të regjistrojnë një maksimum prej dy lojtarëve të rinj të kualifikuar për ndeshjet e mbetura në garat aktuale më së voni deri më 1 prill 2022”, thuhet në njoftimin e UEFA-së.

Të gjitha këto ndryshime janë bërë si pasojë e luftës që po zhvillohet në Ukrainë.

“Si rezultat i pasigurisë rreth përshkallëzimit të konfliktit ushtarak në Ukrainë, i cili shkaktoi një krizë humanitare masive dhe shqetësuese, Byroja e Këshillit të FIFA-s kishte vendosur më 7 dhe 16 mars 2022, në koordinim dhe konsultim me UEFA-n dhe palët e tjera të interesuara, të ndryshojë Rregulloret e FIFA-së mbi Statusin dhe Transferimet e Lojtarëve (RSTP) me qëllim që të ofrohet siguri dhe qartësi ligjore për një sërë çështjesh dhe për të kujdesur për pasojat e krizës mbi lojtarët” thuhet më tutje në njoftimin e UEFA-së.