Për shkak të fusnotës, Kosova nuk merr pjesë në konferencën e donatorëve për njerëzit e prekur nga tërmetet në Turqi e Siri

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se atij i është dashur të ndërrojë tre aeroplanë për të shkuar në Bruksel për të marrë pjesë në konferencën e donatorëve për njerëzit e prekur nga tërmeti në Turqi dhe Siri.

Porse, sipas Muratit, atij në fund nuk i është lejuar të marrë pjesë dhe ta përfaqësojë Kosovën në këtë konferencë.

“U desh ndërrimi i tre aeroplanëve për të arritur sot në Bruksel për të marrë pjesë në konferencën e donatorëve në mbështetje të njerëzve të Turqisë dhe të Sirisë që janë prekur nga tërmetet shkatërruese” – ka thënë ministri, i cili ka shtuar se Qeveria e Kosovës dëshiron të zotohet për mbështetje financiare dhe të jetë pjesë e të gjitha përpjekjeve ndërkombëtare për të ndihmuar.

Kreu i Ministrisë së Financave ka përmendur se Kosova nuk ka mundur të jetë pjesëmarrëse dhe të kontribuoj në këtë konferencë pasi organizatori ka këmbëngulur që për Kosovën të përdoret fusnota.

“Fatkeqësisht, vendi im nuk mund të merrte pjesë dhe të kontribuonte për shkak të trajtimit jokorrekt dhe diskriminues nga organizatori, i cili insistoi në përdorim të asteriksit (fusnotës) në kundërshtim me letrat e marrëveshjes fillestare të Brukselit dhe në frymën e konferencës së sotme” – ka shkruar Murati në Twitter.