Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Për shifrat e rritjes së qarkullimit biznesor, Hykmete Bajrami e LDK-së i reagon Albin Kurtit

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Hykmete Bajrami i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti, pasi ky i fundit lavdëroi qeverisjen e tij në këta gjashtë muaj, duke paraqitur të dhënat në përqindje për rritjen e aktivitetit të bizneseve.

Kurse Bajrami ka thënë se shifrat për të cilat është dashur të flasë Kurti, janë ato të rasteve të reja me COVID-19 në Kosovë.

“Po e ofendon çdo qytetar me këta numra dhe me këto lëvdata, e më së shumti je duke i ofenduar ata që vitin e kaluar e kanë blerë një litër vaj 99 cent e sot e blejnë 1.55 euro”, ka shkruar deputetja në Facebook.

Ajo ka shtuar se numri i të hyrave nga tatimi është më i lartë këtë vit, pasi sipas saj, më 2020 shumica e korporatave kanë qenë të mbyllura për shkak të pandemisë.

Sipas Bajramit, Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë vendim që ndihmon ekonominë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti përmes një info-grafike, ka publikuar të dhëna rreth qarkullimit të bizneseve dhe të hyrave në buxhetin e shtetit, tash e gjashtë muaj, periudhë të cilën Kurti e ka quajtur “dita e ndryshimit të madh”.

Bajrami postimin në llogarinë e saj në facebook, e ka shoqëruar me të dhënat e fundit të rasteve të të infektuarve me COVID-19 dhe info-grafikën e bërë publike nga Kurti, duke e ftuar kryeministrin që të përqendrohet në luftën ndaj coronavirusit.

Më poshtë e gjeni të plotë publikimin e Hykmete Bajramit në Facebook:

Kryeministër,

Kur fol me shifra duhet me qenë gjithpërfshirës me i paraqitë të gjitha shifrat. Sot, shifrat për të cilët është dashur të flisni janë ato të të infektuarëve dhe strategjia e qeverisë si më dalë nga kjo situatë.

Po e ofendon çdo qytetar me këta numra dhe me këto lavdata, e më së shumti je duke i ofenduar ata që vitin e kaluar e kanë blerë një litër vaj 99 cent e sot e blejnë 1.55 Euro.

  • Normal se ka 34% më shumë se vitin e kaluar të hyra nga tatimi në të ardhurat e korporatave, sepse vitin e kaluar vendi ka qenë i mbyllur e shumica e korporatave nuk kanë pasur mundësi të shesin asnjë produkt nga 11 marsi deri me 5 qershor.
  • Normal se ka 37% më shumë TVSH të mbledhur se vitin e kaluar, sepse vitin e kaluar vendi ka qenë i mbyllur.
  • Normal se ka 95% më shumë tatim në pronë të mbledhur këtë vit sepse vitin e kaluar qytetarët për shkak të mbylljes as që kanë pasur mundësi ta paguajnë tatimin në pronë.

Kryeministër, trego:

  • Qysh po e shpërndan pakon e ringjalljes 420 milionë euro?
  • Qysh ka me u zhvillu mësimi nga data 1 shtator?
  • Si ka mundësi që jemi vendi me më se paku të vakcionuar në rajon?
  • Kush i ka “meritat” që i kemi mbi 1300 të infektuar në ditë?
  • A po shkojmë drejt mbylljes totale?
  • Si keni me i ndihmu bizneset e qytetarët kur ta mbyllni vendin?

Trego për të ardhmën, se në ekonomi krejt çka po ndodhë është meritë e madhe e bizneseve, qytetarëve, konsumit që vjen nga  prezenca e mërgimtarëve tonë, masave të rimkëmbjes ekonomike të qeverisë se kaluar  dhe natyrisht inflacionit.

Asnjë vendim nuk keni marrë që ndihmon ekonominë, asnjë!