Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com

Për renovimin e soliterëve në ‘Ulpianë’, do të kërkohet participim edhe nga qytetarët

Në maj të vitit 2020 Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti njoftoi se në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Millennium Challange Corporation (MCC) do bëhet renovimi dhe përmirësimi i efikasitetit të energjisë elektrike tek ‘Soliterët’ në lagjen ‘Ulpiana’

Si pjesë e këtij projekti ishte fasadimi i soliterëve për të ndikuar në kursim të energjisë, rrjedhimisht në mbrojtjen e ambientit.

Zbatimi i kësaj marrëveshjeje është thënë se do fillojë sapo të bëhet marrëveshje paraprake me banorët e ndërtesave.

Kryeshefi i Ndërmarrjes Publike Banesore, Hajdar Hoxhaj, për KALLXO.com ka thënë se procesi është në finalizim dhe parashihen investime në masa të efiçiencës së energjisë deri në 2 milionë euro tek 5 soliterët.

“NPB është duke e koordinuar procesin dhe është pjesë e grupit monitorues/këshillues për projektin inxhinierik dhe auditimin e energjisë të cilat i ka hartuar konzorciumi i kompanive lokale, Consult-Eng dhe Links 4 Design Studio, të kontraktuara nga Banka Botërore. Hartimi i projektit është në finalizim e sipër dhe parasheh rreth 2 milion investime në masa të efecientësh së energjisë në 5 ndërtesat e soliterëve. Do të thotë, do të rinovohet i tërë mbështjellësi i ndërtesave (fasada & dritaret), kulmet, hapësirat e përbashkëta, si dhe NPB ka marrë përsipër të rregulloj problemet me instalime të ujit dhe kanalizimit aty ku është e nevojshme”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj tutje ka thënë se procedurat për tenderim do fillojnë sapo të finalizohet projekti inxhinierik dhe i auditimit të energjisë.

“Sapo të finalizohet projekti inxhinierik dhe auditimi i energjisë, do t’i dorëzohen MCC-së, të cilët pastaj do të fillojnë procedurat e tyre për tenderim. Ky projekt do të financohet mbi 1 milion euro nga MCC ndërsa pjesa tjetër nga Komuna e Prishtinës dhe NPB me një pjesëmarrje simbolike nga banorët”, ka thënë tutje Hoxhaj.